Krimi kundër Valbonës dhe thesareve të tjera të natyrës

Nga Abdulla Diku
Krimi kundër Valbonës dhe thesareve të tjera të natyrës

Mania për të ndërtuar hidrocentrale ka tejkaluar çdo imagjinatë apo pritshmëri gjatë viteve të fundit. E motivuar nga lakmia e pafre dhe iluzioni se hidrocentralet e shndërrojnë ujin në ar, epidemia e hidrocentraleve është kthyer tashmë në një kërcënim katastrofik për natyrën e Shqipërisë.

Nuk ka anë të vendit ku të mos ketë një projekt apo të mos jetë ndërtuar një hidrocentral; në çdo lum, përrua apo kanal ujitës, në zona të mbrojtura apo në mes të fshatit. Nuk do të ishte çudi të shihnim turbina edhe në katet e para të pallateve të larta, tarracat e të cilëve në ditë shiu mbledhin goxha ujë dhe e shkarkojnë atë pa e përdorur fare.

Pjesa më skandaloze e politikave qeveritare për ndërtimin e hidrocentraleve është liçencimi i ndërtimit të tyre në zonat të mbrojtura, përfshi parqet kombëtare.

Në gjithë botën, zonat e mbrojtura përbëjnë pjesën më të mirë të natyrës së një vendi, reklamën natyrore të tij. Edhe në Afrikën e varfër apo Azinë e largët zonat e mbrojtura përbëjnë elitën e turizmit, pasi parqet natyrore—në gjendjen si i ka krijuar natyra, pa ndikimin e njeriut —janë tërheqje e madhe për miliona njerëz në botë. Për shumë vende ato janë burim i rëndësishëm i turizmit dhe ekonomisë.

Për këdo që e ka vizituar, Valbona është një vend mahnitës, një mrekulli e rrallë e natyrës. E ndërthurur me një histori të pasur, me legjenda e mite, nuk mund të gjendet një rast tjetër i ngjashëm me të. Në Valbonë ka një mori të madhe bimësh e kafshësh të rralla, me status të mbrojtur në nivel kombëtar e ndërkombëtar. E gjithë Lugina e Valbonës me sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh është Park Kombëtar nga viti 1996.

Bukuritë e Valbonës tashmë janë tashmë të mirënjohura për brenda dhe jashtë vendit. Drejt saj udhëtojnë çdo vit me dhjetra mijra turistë shiptarë e të hua. Tashmë, e gjithë krahina e ka orientuar aktivitetet e saj tek turizmi—dikush shet perimet, të tjerë prodhime bulmeti, ndërsa të tjerë presin, strehojnë e përcjellin çdo ditë vizitorë nga e gjithë bota.

Edhe pse në vite, Valbona, sikurse pyjet kudo në vend, ka përjetuar shkatërrime nga zjarre dhe shfrytëzimi i paligjshëm i pasurive të saj, ajo ka mbijetuar dhe ka mbetur e bukur dhe ndjellëse.

Por duket se, më në fund, Valbona do të gjejë shkatërrimin e saj total. Nëse deri më sot dëmtimet e saj kanë qenë të paligjshme, shkatërrimi po i vjen me leje të qeverisë: qeveria ka dhënë me konçesion ndërtimin e plot 11 hidrocentraleve në rrjedhën e saj, të cilët do ta shkatërrojnë luginën e Valbonës duke e betonizuar atë dhe duke e tharë një pjesë të mirë të shtratit natyror të lumit. Ndërkohë që 11 turbinat ku do të kalojë uji i Valbonës do të shuajnë speciet që jetojnë në ujrat e saj.

Është e pabesueshme të kuptosh se si mund të ndodhë që qeveria të lëshojë leje mjedisore për këto ndërtime. Por kur lexon studimet për ndikimin në mjedis të tyre është e qartë që të gjitha konçesionet janë dhënë në mënyrë korruptive, mbi vlerësime dhe raporte fiktive.

Pata rastin të shoh disa nga projektet e ndërtimit të HEC-eve, dhe raportet e tyre të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM). Mungesa e çdo lloj standarti profesional dhe cilësie e këtyre raporteve të bën të mendosh se ato janë bërë nga amatorë dhe jo profesionistë. Nuk ja vlen të flasësh shumë për to, mjafton të permenden disa gjetje kryesore:

  • Shumica e raporteve VNM janë hartuar mbështetur në një bazë ligjore të shfuqizuar në kohën e hartimit të tyre. Për këtë arsye, ato nuk duhej të pranoheshin dhe as të konsideroheshin nga autoritetet mjedisore. Lejet që janë dhënë mbi këto raporte janë të pavlefshme ligjërisht dhe duhet të shfuqizohen.
  • Pavarësisht se raportet janë rreth 50-60 faqe, ndikimi në mjedis në këto raporte zë, pa asnjë ekzagjerim, vetëm disa fjali. Por edhe ato pak fjali janë, në të gjitha rastet, pohim se ndërtimi i hidrocentralit nuk ka asnjë efekt mbi mjedisin. Madje, në të paktën njërin prej raporteve ekspertët deklarojnë se ndërtimi i hidrocentralit do ta përmirësojë peisazhin e zonës. Pra, volumet masive të betonit dhe tubave do të përmirësojnë mjedisin dhe bukurinë e natyrës së luginës së Valbonës.
  • Në studime theksohet se ndër kafshët e rralla të zonës është edhe çakalli. Përveç studios që ka bërë raportin e VNM, askush në zonë nuk ka parë e dëgjuar ndonjëherë për këtë kafshë dhe nuk janë gabim që nuk kanë dëgjuar, sepse çakalli nuk mbijeton dot në Valbonë, edhe sikur ta mbash në kafaz. Si pjesë e florës është përfshirë çaji i malit si bimë e rëndësishme e zonës. Edhe për këtë rast, hartuesit e VNM-së duket se ja kanë kaluar edhe Darvinit, sepse në fakt çaji i malit nuk gjendet më në veri se Mali i Tomorrit, sepse habitati i tij është qindra kilometra larg Valbonës
  • Në asnjë nga VNM-të nuk përmenden asnjë here të vetme se ndërtimi i hidrocentralit përkatës bëhet në një zonë që ka status të lartë të mbrojtjes, statusin e Parkut Kombëtar.
  • Në asnjë nga raportet nuk përmenden shpatet e pa stabilizuara në të dy anët e luginës së Valbonës që aktivitetet ndërtuese mund t’i shkatërrojnë përfundimisht.
  • Në një prej raporteve është përdorur emri i komunës së gabuar për vend-ndodhjen e ndërtimit, që me gjasa tregon që raporti është bërë nga zyra pa bërë vizitë në terren.

Si mundet që kompani të cilat pretendojnë se do të shpenzojnë me dhjetra milionë euro për ndërtimin e hidrocentraleve të prodhojnë dokumenta të tillë mjedisorë që janë në nivel të mjerueshëm? Si ka mundësi që ekspertët mjedisorë marrin përsipër të shkruajnë paçavure të tilla, në këmbim të disa kacidheve, duke shkatërruar, përgjithmonë, pasuritë tona më të rëndësishme kombëtare?

Por dokumentet e ndikimit në mjedis nuk janë i vetmi skandal në këto histori hidrocentralesh. Besimtarët që besojnë tek ringjallja e njeriut mund të gjejnë një konfirmim të besimit të në Valbonë: banorët e zonës tregojnë se pas tre vitesh i vdekur, një bashkëfshatar i tyre u ringjall vetëm për të firmosur për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë. Firma e tij, provë e ringjalljes, është në dokumentat zyrtare të dëgjesave publike të depozituara në Ministrinë e Mjedisit. Madje ky është një ndër rastet më të “rregullta” pasi asnjë nga kompanitë që do të ndërtojë hidrocentrale nuk ka bërë dëgjesa me publikun, duke mos u munduar as të sajojnë dëgjesa të manipuluara.

Ka plot argumenta që ndërtimi i hidrocentraleve nuk garanton asgjë tjetër përveçse katastrofave ekologjike. Por ndërtimi i tyre në zona të mbrojtura apo në zona monument kulture është kriminal. Më parë se të zbulohej skandali i Valbonës u fol për dhënie leje për hidrocentrale në luginën e Vjosës në zonën e Langaricës apo të Pocemit që do të dëmtojë atë luginë të Vjosës që konsiderohet si një pasuri europiane e natyrës, si i fundit lum i egër në Europë.

Një rast për të cilin nuk është folur është ai i Lumi të Gashit, në verilindje të Valbonës. Lumi i Gashit është një ndër dy zonat e vetme në vend që gëzon statusin më të lartë të mbrojtjes: rezervë strikt natyrore/rezervat shkencor, për shkak të pasurisë të jashtëzakonshme të faunës dhe florës. Por edhe kjo zonë do të shkatërrohet, pasi edhe atje do të ndërtohen hidrocentrale edhe pse statusi i saj kufizon edhe ecjen e njerëzve në të.

Ironia skandaloze e kësaj situate është se agjencitë e mbrojtjes së mjedisit vendosin gjoba e pezullojnë lokale qoftesh për “ndotje” të mjedisit, ndërsa bëjnë sehir kur zhvillohen aktivitete antiligjore, madje kriminale, në zona të mbrojtura, që do të shkatërrojnë jo vetëm natyrën dhe potencialet ekonomike të vendit, por edhe jetesën e mijëra qytetarëve.

Në një vend ku skandalet janë gjë e zakonshme, skandali i hidrocentraleve në zonat e mbrojtura dallon mbi të tjerë. HEComania e ushqyer nga babëzia për para ka verbuar çdokënd dhe i ka shtyrë qeveritarët dhe klientët e tyre në krime mjedisore dhe ekonomike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>