Hekuran Billa, 40-vjeçari i vrarë në 11 qersor në një atentat mafioz, ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm në Angli. Gjyqtarja e Krujës Enkeleda Hoxha i ka ulur atij dënimin disa herë dhe e ka liruar atë me kusht në vitin 2019.
Siç do të shohim më poshtë, Billa duhet të kishte qenë në burg të paktën deri në vitin 2032.
Gjyqtarja Hoxha është e njohur si gjyqtarja që pak muaj më parë liroi me kusht anëtarin e bandës së Durrësit, Endrit Doklen.
Si është lehtësuar dënimi i përjetshëm i Billos ndër vite deri në lirimin e tij?
Sipas gazetarit Elton Qyno, Hekuran Billo, i njohur dhe me emrin tjetër Herland Bilali ishte dënuar nga gjykata e Kurorës Snaresbook, Angli, me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 22 vjeçari dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve.
Dënimi i tij është dhënë në mungesë, ndërsa në nëntor të 2007 Billa ishte arrestuar në Shqipëri.
Dënimi i gjykatës angleze mbeti në fuqi dhe u njoh nga gjyqtari Altin Abdiu në 13 maj 2014.
Më pas në korrik 2016 gjyqtari Lefter Jahaj vendosi të ndryshojë vendimin e gjykatës së Tiranës për njohjen e burgut përjetshëm dhe ta ulë dënimin në 25 vite burgim, të cilat do të llogariteshin që nga dita e arrestimit, 15 nëntor 2007. Pra Billa do duhet të ishte i burgosur deri në vitin 2032.
Por në shkurt 2019 Billa ka dalë nga burgu. Sipas gazetarit Qyno, gjyqtarja Hoxha i ka ulur disa herë dënimin dhe si përfundim e nxori në lirim me kusht duke i falur 5 vjet burgim.
Enkeleda Hoxha është aktualisht nën hetim nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, për lirimin e dyshimtë të Endrit Dokles me një skemë të ngjashme si të Billos.
Më shumë për rastin e Endrit Dokles mund të lexoni këtu.