Banka e Shqipërisë vendosi sot të ulë normën bazë të interesit nga 1 për qind në 0,5 për qind, për shkak të vështirësive ekonomike që kanë shkaktuar masat kundër koronavirusit.
Me këtë masë, BSH synon të ulë normat e interesit për bankat e nivelit të dytë dhe qytetarët.
Po ashtu, BSH uli dhe normën për kreditë afashkurtra të përdorura prej saj nga 1.9 për qind në 0.9 për qind. Kjo masë vlen për të lehtësuar likuiditetin e bankave të nivelit të dytë.
Guvernatori Sejko po ashtu shpalli dy masa të tjëra:
– BSH do të ofrojë likuiditet të palimituar për bankat dytësore për sa kohë të jetë e nevojshme.
– BSH do të shtyjë me 3 muaj pagesat për interesat e kredive që qytetarët kanë në bankat dytësore në vend.
Guvernatori Sejko theksoi se pandemia e koronavirusit përbën sfidë për ekonominë dhe pritet të ketë ndikim në ekonominë dhe financat e vendit.