Kriza në Ballkan “zgjidhet” brenda 24 orëve

Kriza në Ballkan “zgjidhet” brenda 24 orëve

Brenda 24 orëve të fundit duket se është gjetur “zgjidhje” për krizën në vendet e Ballkanit.

Pas vizitave të nëpasnjëshme dhe presionit të ndërkombëtarëve – Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan Hoyt Brian Yee, përfaqësuesja së BE-së Federica Mogherini, Komisioneri Johannes Hahn, zëvendëpresidenti i Partive Popullore Evropiane David McAllister, eurodeputeti Knut Fleckenstein, si dhe ambasadorët amerikanë e të BE-së në çdo shtet – duket se në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri liderët politikë kanë arritur të paktën të vendosin për hapin e radhës: në Maqedoni nis formimi i qeverisë së re, Kosova do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme dhe në Shqipëri opozita do të futet në zgjedhje.

Në Maqedoni, presidenti Ivanov i dha mandatin për të formuar qeverinë e re liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Ky i fundit do të formojë koalicionin qeverisës me partitë shqiptare.

Që prej dhjetorit të vitit 2016, kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare pas dorëheqjes së kryeministrit Gruevski, në Maqedoni nuk është formuar ende qeveria, duke shkaktuar një krizë të thellë politike.

Presidenti Ivanov disa herë gjatë muajve të fundit refuzoi t’i japë mandatin liderit të opozitës. Arsyeja kryesore e refuzimit ishte e ashtuquajtura “platformë e Tiranës“, një marrëveshje e arritur midis partive shqiptare më 7 janar në Tiranë, nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama.

Po ashtu në Kosovë duket se ka nisur fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Dje u regjistruan në KQZ koalicionet parazgjedhore ku më surprizuesi ishte bashkëpunimi mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i Ramush Haradinajt dhe Partisë Demokratike të Kosovës e Kadri Veselit, parti që ishte pjesë e koalicionit qeverisës dhe votoi pro rrëzimit të qeverisë së Isa Mustafës. Kandidat për kryeministër i këtij koalicioni është Ramush Haradinaj, kreu i AAK-së.

Prej disa kohësh në Kosovë, situata politike ishte e tensionuar për shkak të ngecjes së punimeve në parlament. Opozita vazhdimisht akuzonte qeverinë për dështim të koalicionit qeveritar në miratimin e ligjeve të rëndësishme.

Në Shqipëri, gjithashtu, pas mesnatë kryeministri Rama dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kanë arritur një marrëveshje për zgjidhjen e krizës dhe futjen e partive opozitare në zgjedhje. Edhe pse nuk dihen ende detajet teknike të marrëveshjes së arritur, ambasadorët e BE-së, SHBA-ve dhe OSBE kanë përshëndentur vendimin dhe kanë uruar liderët politikë.

Gjatë ditës së sotme pritet të mësohet data përfundimtare e zgjedhjeve dhe të gjithë postet teknike që i janë ofruar opozitës. Për këtë, Kryeministri Rama, shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi, dhe kreu i PD-së Lulzim Basha, shoqëruar nga deputeti Oerd Bylykbashi, kanë nisur prej pak orësh një takim në Pallatin e Kongreseve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>