Kriza politike në Kosovë, a ka të drejtë LDK-ja të formojë qeverinë e re?

Nga Exit News
Kriza politike në Kosovë, a ka të drejtë LDK-ja të formojë qeverinë e re?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa po punon për formimin e një koalicioni të ri qeverisës me tre parti të tjera: Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Haradinajt, Nismën për Kosovën të Limajt, Aleancën Kosova e Re të Pacollit.

Duket se mes partive ka një dakordësi për bashkëpunim, dhe brenda 14 prillit, LDK do të pyesë anëtarët e Këshillit të partisë, nëse janë apo jo dakord me këtë koalicion.

Isa Mustafa deklaroi sot se në rast se Vetëvendosja, si partia fituese në zgjedhje nuk propozon një qeveri të re, atëhërë i takon LDK-së kjo e drejtë.

Por çfarë parashikon kushtetuta e Kosovës?

Pas rrëzimit të qeverisë, Presidenti ka të drejtë kushtetuese të vendosë ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda afatit 30-45 ditë nga shpallja e vendimit të Presidentit.

Por presidenti Thaçi vendosi t’i dërgojë Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes ftesën për të propozuar një kryeministër dhe qeveri të re. Me këtë vendim, Thaçi përjashtoi mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të reja.

Por në kushtetutë apo ligje, kandidati për kryeministër ose partia fituese nuk ka ndonjë kufizim kohor për krijimin e qeverisë së re dhe ky proces mund të shkojë shumë gjatë—pas zgjedhjeve të tetorit shkoi thuajse tre muaj.

Qeveria Kurti, e cila vazhdon ende punën, ka bërë të qartë se është e fokusuar të luftojnë pandeminë e Covid-19 dhe jo të merret me koalicione politike.

Nëse Vetëvendosja nuk arrin dot të krijojë një qeveri, ajo njofton Presidentin, i cili mund t’ja kalojë të drejtën për formimin e një qeverie partisë së dytë, pra LDK-së.

Kjo gjë nuk është e përcaktuar shprehimisht në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por është e nënkuptuar. Kjo qasje u ndoq herën e fundit, pas dorëheqjes së qeverisë së Ramush Hardinajt, kur PDK-së së Kadri Veselit iu dha mundësua, por refuzoi të merrte të drejtën të provonte krijimin e një qeverie të re, duke detyruar Presidentin Thaçi të shpallte zgjedhje të parakohshme.

Teorikisht ky proces mund të vazhdojë deri sa të krijohet një qeveri ose të dështojnë të gjitha partitë që kanë përfaqësim në Kuvend, kur mbetet vetëm mundësia e zgjedhjeve të reja. Sidoqoftë, në praktikë ky proces nuk zgjat përtej 2-3 partive kryesore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>