Kriza politike: Si po përpunon opinion e huaj propaganda e Edi Ramës

Nga Ilmi Rehova
Kriza politike: Si po përpunon opinion e huaj propaganda e Edi Ramës

Reagimi i parë i Kryeministrit Rama ndaj krizës pas lënies së mandateve parlamentare nga opozita është përpjekja për ndikimin dhe manipulimin e opinionit ndërkombëtar. Qëllimi është i dyfishtë: t’i pozicionojë përfaqësuesit e huaj në krah të tij, që në momentet e para, kur informacioni dhe kuptimi nga ana e tyre i gjendjes është i përciptë; dhe përmes të parës të krijojë për publikun e brendshëm idenë se ai jo vetëm ka mbështetjen e huaj, por se madje të huajt janë kundër opozitës.

Është një veprim me rëndësi strategjike, duke ditur se publiku shqiptar ka mbivlerësim për të huajt dhe shpesh i gjykon ngjarjet e brendshme politike, tërthorazi, përmes qëndrimit të të huajve ndaj tyre. Kjo është, gjithashtu, diçka në të cilën Rama ka treguar aftësi të jashtëzakonshme në të shkuarën, dhe që i ka sjellë përfitime jetike politike. Rasti i reformës në drejtësi është më i spikaturi—pasi Rama i investoi të huajt në një reformë, të cilën ai e kontrolloi dhe manipuloi nga fillimi në fund me mjeshtëri, tani që reforma ka dështuar dhe drejtësia është kapur nga Rama, të huajt e investuar vazhdojnë me kokëfortësi ta çojnë deri në fund mbështetjen për reformën dhe vetë Ramën.

Sipas të njëjtit model, Zoti Rama ka vënë në zbatim, javën e fundit, një operacion të vrullshëm propagandistik për të manipuluar opinion ndërkombëtar. Ai po përdor të gjitha kanalet e mundshme të komunikimit për agjitacionin e tij—kontaktet zyrtare të komunikimit me të huajt; mediat e huaja, veçanërisht korrespondetët e tyre lokalë; mediat shqiptare, që pasqyrohen rëndom në buletinet e shtypit të  përfaqësive të huaja në Tiranë, si dhe përfaqësitë shqiptare nëpër botë.

Një burim diplomatik perëndimor në Tiranë pranoi për Exit.al se misionet perëndimore janë kontaktuar në mënyrë të pandërprerë nga qeveria, me mesazhe, informacione dhe kërkesa. Ndër të tjera, burimi ndau me Exit.al një memo, që qeveria ua ka dërguar të gjitha kontakteve të huaja, ku jep “shpjegimet” e saj në lidhje me zhvillimet politike në vend.

E gjithë propaganda e qeverisë është përqendruar në tre drejtime kryesore.

Drejtimi i parë është krijimi i opinionit se opozita kërkon të marrë pushtetin me dhunë. Kjo teori është synuar të ngulitet përmes shtrembërimit të natyrës së protestave të thirrura nga opozita.

Para protestës së parë të 16 shkurtit, policia dhe drejtuesit më të lartë qeveritarë propaganduan se në protestë do të kishte persona me të shkuar kriminale, të cilët do të kryenin akte të dhunshme.

Gjatë protestës dhe pas saj, qeveria dhe surrogatët bombarduan opinionin publik duke folur vetëm për dhunën e supozuar në protestë. Pamje të një dyndjeje të pak njerëzve drejt derës së Kryeministrisë u shpërndanë kudo, me mesazhe që e amplifikonin këtë veprim si sulm të dhunshëm ndaj Kryeministrisë.

Propaganda e tyre qe e suksesshme dhe arriti që të shtyjë disa përfaqësi të huaja në Tiranë të bënin thirrje të përsëritura kundër dhunës, si para, ashtu edhe gjatë protestës.

Por, në të vërtetë, protesta qe tërësisht paqësore. E vetmja dhunë e vërtetë në të ishte shkulja vandale e veprës “Kërpudha” në lulishten anash ndërtesës së Kryeministrisë. Kjo vepër ishte kthyer në simbol të shkëputjes së Edi Ramës nga realiteti dhe të përdorimit të pushtetit për përmbushjen e interesave dhe kapriçove të tij private. Asgjë tjetër. Madje, në përpjekje për të treguar dhunë, Erion Veliaj, në mënyrë qesharake, të vetmin dëm që mundi të shfaqte në një mesazh të tij publik ishte bari i shkelur anash ndërtesës së Kryeministrisë dhe një filiz peme i thyer.

Në mungesë të dhunës, propaganda qeveritare arriti ta kanalizonte shpejt shqetësimin tek dëmtimi i pronës publike dhe private, dhe ambasadat e huaja i shkuan pas, duke bërë thirrje për mosdëmtim të pronës publike dhe më pas dënuan dëmtimin e pronës publike.

I njëjti skenar u përsërit në lidhje me protestën e të enjtës, 21 shkurt.  Qeveria Rama sërish i mëshoi fort tezës së dhunës në të gjitha komunikimet e saj me faktorët e huaj diplomatikë, mediatikë dhe të tjerë. Burimi i mësipërm diplomatik i tha Exit.al se qeveria i mësyu përfaqësuesit e huaj me informacione se do të kishte dhunë dhe u kërkoi me insistim të bënin deklarata publike me thirrje kundër dhunës dhe me kërcënime, skandaloze për përfaqësitë e huaja diplomatike, se opozita se do të mbante përgjegjësi për dhunën.

Para protestës Edi Rama luajti gjithashtu me elemente vizuale për të krijuar psikologjinë e një gjendjeje të jashtëzakonshme. Ai pezulloi trafikun në një zonë të madhe të Tiranës, rrethoi ndërtesën e Kuvendit me tela me gjemba, mobilizoi një numër të madh policësh për të rrethuar ndërtesën e Kuvendit (sërish pa asnjë pajisje dhe veshje të përshtatshme për përballim turmash), u shpërndau gazetarëve maska kundërgaz, ndërpreu mbulimin me sinjal celular në zonën e protestës, çfarë me ligj mund të bëhet vetëm në situatë të jashtëzakonshme, etj.

Përfaqësitë e huaja diplomatike, sërish lëshuan deklarata publike kundër dhunës, disa me nota thuajse kërcënuese ndaj opozitës.

Protesta e të enjtes u zhvillua tërësisht në paqe, pa cënimin më të vogël të paqes dhe rendit. Por duket se imazhi i dhunës tashmë ishte ngulitur tek të huajt dhe befas një përfaqësues i Departamentit të Shtetit kritikoi në mbrëmje dhunën e opozitës.

Triumf i plotë propagandistik i Edi Ramës: ambasadat e huaja, të cilat nuk kanë folur dhe nuk flasin kurrë kundër skandaleve marramendëse të qeverisë, përfshi vjedhjet e dhjetëra milionë euro të parave publike, dënuan ashpër dhunën e pakryer të opozitës dhe dëmtimin e pandodhur të pronës publike.

Linja e dytë e propagandës qeveritare kundër opozitës është portretizimi i veprimeve të opozitës si përpjekje për të marrë pushtetin në mënyrë arbitrare, pasi opozita është e paaftë të fitojë pushtetin me zgjedhje, ngaqë nuk ka mbështetje në popull. Memoja që qeveria u ka çuar të huajve argumenton gjerë e gjatë këtë pretendim dhe lënien e mandateve nga opozita me qëllim largimin e Edi Ramës si akti i një “terroristi që kërcënon se do të hedhë në erë sistemin, nëse nuk i plotësohen kërkesat.”

Të njëjtin qëndrim Kryeministri Rama e shprehu para dy ditësh në një intervistë për mediat italiane Il Messaggero dhe Rai. Po i njëjti qëndrim është artikuluar nga të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në të gjitha komunikimet me të huajt dhe në pohimet publike.

Argumenti ilustrohet me faktin se para dy vjetësh opozita njësoj krijoi krizë dhe iu dha pushtet në qeverinë teknike, por ajo prapë i humbi zgjedhjet, dhe tani po kërkon të njëjtën gjë në mënyrë kapriçoze.

Qëllimi i kësaj linje është të mbulojë të gjitha arsyet e qenësishme, përfshi bashkëpunimin me krimin në zgjedhjet e fundit, të cilat kanë çuar opozitën në veprimin e skajshëm të lënies së mandateve të deputetëve.

Linja e tretë e propagandës qeveritare është vënia në qendër të vëmendjes e Sali Berishës, si ideatori dhe drejtuesi i vërtetë i të gjitha veprimeve të opozitës. Këtë tezë e shprehu i pari vetë Rama në intervistën për Il Messaggero, dhe e kanë përsëritur editorialet e mediave të afërta me kryeministrin dhe surrogatët e Kryeministrit në media.

Ky lloj portretizimi bëhet në rradhë të parë për të përforcuar idenë e dhunës opozitare, duke e lidhur Berishën me ngjarjet e shtatorit 1998 dhe të 21 janarit 2011, për të cilat të huajt kanë një ndjeshmëri të veçantë. Për t’ia arritur këtij qëllimi, qeveria ka prodhuar një video-montazh, e cila iu është shpërndarë nga qeveria përfaqësive të huaja më përkthim anglisht, ku janë përmbledhur një sërë pohimesh të ashpra kundër qeverisë nga Zoti Berisha. Këto pohime janë bërë përgjatë viteve të fundit, por në video atyre u është vënë, në mënyrë keqinformuese, data e ditëve të fundit.

Përveç përforcimit të idesë së dhunës, përqëndrimi tek Zoti Berisha bëhet edhe për të ulur autoritetin e Lulzim Bashës, në mënyrë që ai të mos shihet nga të huajt si faktor i rëndësishëm politik dhe, për rrjedhojë, si person që ka aftësinë për të garantuar zgjidhjet politike që mund të synohen. Në këtë mënyrë, Edi Rama kërkon të ndikojë sidomos të huajt që janë kritikë ndaj tij për t’i shtyrë ata drejt qëndrimit: “Dakord, Rama ka probleme, por ai është i vetmi me të cilin mund të bësh marrëveshje.”

Duket se edhe në këtë drejtim propaganda e Ramës po ia del, të paktën për momentin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>