Të paktën 7 persona të tjerë më Covid-19 janë zbuluar në Krujë në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të prekurve në këtë qytet në 65,
6 prej tyre janë punonjës të dy fasonerive, ndërsa i shtati është familjar i tyre.
Një ditë më parë, 22 prill, në Krujë u zbuluan 18 pacientë të rinj me Covid-19, të gjithë të lidhur me fasoneritë: punonjës dhe familjarë të tyre.
Dy fasoneritë në Krujë të cilat kanë lidhje më njëra-tjetrën, kanë qëndruar hapur deri më 15 prill. Në to punojnë kryesisht gra nga Kruja dhe Laçi, të cilat transportohen për në punë nga furgonat e kompanisë.
Transporti dhe puna duke mos zbatuar masat e distancimit fizik kanë bërë që Covid-19 të përhapet shpejt mes punonjësve, të cilët më pas ia kanë transmetuar familjarëve të tyre.
Kruja deri më 17 prill, kishte vetëm një vatër familjare me 7 të infektuar, shumica prej tyre të shëruar. Ndërsa tani ka 65 të infektuar brenda pak ditësh.