Kryebashkiakët problematikë të Ramës

Nga Exit News
Kryebashkiakët problematikë të Ramës

Gazetari Artan Hoxha publikoi sot videon ku shfaqet kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla duke marrë drogë në ambiente publike.

Ky denoncim e çon në 6 numrin e kryebashkiakëve problematikë socialistë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, nga 61 bashki në total.

Pesë kryebashkiakët e tjerë janë denoncuar nga opozita për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.

Në gusht 2019, PD denoncoi se Kryebashkiaku i sapozgjedhur i Shkodrës Valdrin Pjetri kishte fshehur në formularin e vetëdeklarimit  faktin se ishte arrestuar, dënuar dhe dëbuar nga Italia për trafik lëndësh narkotike në vitin 2003. Për këtë shkak, në gusht 2019, Pjetri u dorëhoq nga marrja e detyrës së kryebashkiakut dhe tha se do t’i përgjigjet akuzave të bëra nga opozita si qytetar i thjeshtë.

Në janar 2020, Prokuroria e Tiranës nisi procedimin penal ndaj Valdrin Pjetrit. Ai akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit dhe rrezikon nga 6 muaj deri në 4 vite burg dhe mos-ushtrim për një kohë të caktuar të funksioneve publike.

Në gusht 2019, PD denoncoi dhe kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku, për fshehje të së shkuarës kriminale në formularin e dekriminalizimi.

Agim Kajmaku, i cili ka mbajtur dhe emrin Jorgo Toto kur ka jetuar në Greqi, është arrestuar, dënuar dhe dëbuar nga Greqia për përdorim dhe shpërdarje të kartomonedhave të falsifikuara.

Pas verifikimit nga prokuroria, më 1 nëntor 2019, KQZ shkarkoi Kajmakun për shkelje të ligjit të dekriminalizimit. Ndërsa 5 ditë më vonë, ai u kallëzua për  falsifikim dokumentash në shkarkimin e ish-vartësve të tij. P

Prej 11 nëntorit zoti Kajmaku është në arrati, ndërkohë që Gjykata e Apelit ka dhënë masën arrest me burg në mungesë. Për arrestimin e tij dështuan dhjetëra aksione policore të cilat dyshohen se u dekonspiruan.

Më 17 janar, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet për ish-kryebashkiakun Kajmaku, dhe ka dërguar dosjen në gjykatë. Akuzat që rëndojnë mbi Kajmakun janë ‘falsikimi i vulave’, ‘falsifikimi i dokumentave’ dhe ‘kryerja e funksionit shtetëror pas përfundimit të afatit’.

Në shtator 2019, Partia Demokratike publikoi dokumentet që, sipas saj, vërtetojnë se kryebashkiaku i Vaut të Dejës Mark Babani është arrestuar dhe dënuar në Sicili, për vjedhje makinash dhe se e ka fshehur këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit.

Në rast se akuzat e PD-së rezultojnë të vërteta, sipas ligjit për dekriminalizimin, Babani nuk mund të mbajë postin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, si dhe duhet të ndiqet penalisht për deklarim të rremë dhe falsifikim të formularit të vetëdekriminalizimit. Prokuroria po vazhdon hetimet për rastin e Babanit ndërsa ky i fundit vazhdon ende detyrën si kryebashkiak.

Në 8 janar 2020, PD kërkoi verifikimin e të shkuarës së kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj, pasi ai është dënuar me burg në Greqi për rrahje e plagosje, dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.

Një javë më pas, Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet dhe i mori Ismailjat shenjat e gjishtërinjve. Kryebashkiaku Ismailaj ka mohuar disa herë akuzat duke theksuar se nuk ka dijeni për dokumentet e publikuara nga PD. Ai vazhdon ende punën.

Më 16 janar 2020, Partia Demokratike i kërkoi prokurorisë verifikimin e të shkuarës së kryebashkiakut të Matit Agron Malaj, pasi ai është i dënuar në të shkuarën me vendim të formës së prerë dhe nuk i lejohet të zgjidhet në një funksion publik.

Më 17 janar, Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet për kryebashkiakun Malaj, teksa ky i fundit vazhdon ende punën.

Partia Demokratike po verifikon dhe 10 kryebashkiakë të tjerë që dyshohet se janë në kushtet e ndalimit të kandidimit dhe në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, mes tyre dhe një kryebashkiak në qarkun e Tiranës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>