Kryetari i Bashkisë Mallakastër Qerim Ismailaj mohoi sërish të jetë dënuar në Greqi dhe theksoi se nuk ka pasur dijeni për dokumentet e denoncuara gjatë ditës së sotme nga Partia Demokratike (PD).
Në një postim në rrjetet sociale, të qarkulluar më pas në media, zoti Ismailaj përsëriti se:
“[…] për kohën që kam jetuar dhe punuar si emigrant në Greqi nuk jam arrestuar, ndaluar apo deportuar asnjëherë nga policia greke!
Lidhur me shkresat e paraqitura sot nuk kam pasur dijeni sepse po të kisha, fare thjesht do t’i deklaroja në formularin e dekriminalizimit, pasi vepra dhe koha për të cilën presupozohet të jem i dënuar nuk është në kushtet që të më pengonte kandidimin apo ushtrimin e detyrës dhe për këtë qëllim do të ndjek çdo rrugë ligjore për zbardhjen e së vërtetës si këtu ashtu dhe në Greqi!”
PD denoncoi sot se më 25 shkurt 2000, zoti Ismailaj ishte dënuar në mungesë me 3 vite burg nga autoritetet greke dhe se këtë dënim ai nuk e kishte përmendur në formularët e dekriminalizimit përpara se të bëhej kryebashkiak.
Opozita paraqiti për mediat një dokument nga Prokuroria e Athinës, lëshuar më 2 janar të këtij viti. Dokumenti thoshte se Ismailaj ishte dënuar me 3 vite burg për “plagosje”, por që nuk e ka shlyer dënimin “pasi nuk është gjendur në territorin grek”.
Këtë pretendim zoti Ismailaj e kundërshtoi duke thënë se “ka udhëtuar me dhjetëra herë në Greqi dhe asnjëherë në asnjë pikë kufitare nuk është ndaluar apo refuzuar hyrja”.
Për pretendimet e saj PD i ka kërkuar prokurorisë hetimin. Në rast se akuzat rezultojnë të vërteta, Qerim Ismailaj nuk mund të shërbejë më si kryebashkiak dhe duhet të ndiqet penalisht nga prokuroria.
Pas zgjedhjeve monopartiake të 30 qershorit, PD ka denoncuar dhe tre kryebashkiakë socialistë të tjerë me të shkuar kriminale, të cilët kanë falsifikuar formularët e dekriminalizimit.
Rasti i fundit ishte ai i kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku, që rezultoi se ishte dënuar dhe dëbuar nga Greqia, teksa mbante një emër të rremë. Aktualisht ndaj Kajmakut është vendosur masa e arrestit me burg në mungesë, pasi autoritetet nuk mundën ta arrestonin.
Përveç Kajmakut, demokratët kanë akuzuar edhe kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani dhe ish-kandidatin për Shkodrën, Valdin Pjetri, ky i fundit u tërhoq nga marrja e mandatit pasi akuzat u vërtetuan.