Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi i është përgjigjur ftesës së aktorit Leonardoi di Caprio për të shpallur Vjosës Park Kombëtar.
Të parët që iu bashkuan thirrjes ishin presidenti Ilir Meta dhe kreu i PD Lulzim Basha.
Edhe Kryemadhi ka vepruar njësoj duke shpërndarë videon e Vjosës në të cilën e kishte etiketuar di Caprio.
Kryetarja e LSI e ka falënderuar aktorin dhe të gjithë aktivistët që mbrojnë natyrën dhe burimet kombëtare.
“25 Prilli është një betejë për ta bërë Shqipërinë shtëpi për shqiptarët sot dhe për fëmijët tanë nesër”, ka shkruar ajo në Instagram.
Leonardo di Caprio i kërkoi politikës shqiptare që të mbështesë kthimin e Vjosës në Park Kombëtar.
Lumi Vjosa është lumi më i madh i egër në Europë.
Besjana Guri përfaqësuese e EcoAlania tha të hënën në emisionin “Me pak Fjalë” se “lugina e Vjosës nuk gëzon asnjë status mbrojtjeje nga qeveria”.
Përgjatë Vjosës, janë planifikuar 8 diga ndërsa 23 HEC-e të vegjël në degët e saj. Megjithatë dy hidrocentrale janë rreziku kryesor i Vjosës, i Poçemit dhe Kalivaçit të cilët janë me diga dhe që krijojnë rezervuarë të mëdhenj duke përmbytur shumë hapësira përqark dhe duke ndryshuar përfundimisht gjithë rrjedhën e Vjosës, të paktën rrjedhën e mesme dhe të poshtme.