Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së tha se pandemia do të sjellë një krizë të thellë ekonomike. Zonja Kryemadhi tha në. Një intervistë për emisionin Open se në korrik njerëzit do të “vuajnë për bukë”.
“Koronavirusi do të sjellë një ndryshim në rendin botëror ekonomik. Ne jemi një vend i vogël, një pikë në oqean jemi megjithëse e kemi liderin suprem. Virusi do të sjellë krizë të thellë ekonomike. Janë 70 mijë punonjës që punojnë në fasoneri. Tani ata janë të papunë, pa llogaritur problemet që do të ketë fasoneria në verë dhe dimrin që vjen. Në korrik njerëzit do vuajnë për bukë”.
Ajo akuzoi qeverinë se nuk po e menaxhon mirë krizën dhe se ka fshehur shifrat e të vdekurve me Covid-19.
“Nuk ka një menaxhim të mirë nga qeveria. Shifrat nuk tregojnë asgjë. Qeveria ka mashtruar ka gënjyer me shifrat. Qeveria ka gënjyer me shifrat e të vdekurve nga Covid-19”.
Zonja Kryemadhi tha se masat ndaluese “nuk parandaluan asgjë”:
“Pse nuk rri në rrugë virusi gjatë orës 5 deri në 5 e gjysëm pasdite. Qeveria bën propagandë dhe nuk kërkon falje duke thënë që ky virus na zuri të papërgatitur dhe nuk arritëm ta menaxhojmë këtë situatë. Qeveria nuk ka treguar sa kanë vdekur në janar dhe shkurt”.