Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u zotua se nëse LSI vjen në pushtet pas 25 prillit, do t zbatojë Reformën në Drejtësi, të miratuar në 2016.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kryemadhi u shpreh se LSI dhe PD votuan një reformë “në dakordësi me të gjitha institucionet ndërkombëtare”.
“Për tetë ligjet e reformës, Partia Demokratike ka pasur opsionet e veta, ndërsa ne kemi votuar. Dhe ne nuk i kthehemi mbrapsht absolutisht dhe nuk mendojmë se duhet korrigjuar asgjë nga ajo çfarë kemi votuar në 21-22 korrik të 2016-s”, tha ajo.
Sipas Kryemadhit reforma u deformua nga Rama, ajo tha se ai e ka kapur reformën në drejtësi.
“Rama e deformoi, e ndryshoi, e kapi, e tjetërsoi, e për të cilën unë mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi dashje pa dashje, diku me indiciet tona personale apo diku me preferencat tona personale, edhe familjare, shkojmë dhe kemi bërë një gabim shumë të madh, i cila faktikisht i ka kushtuar jashtëzakonisht Shqipërisë”, tha ajo.