Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkarkoi sot nga detyra Agim Veliun, ministrin e Punëve të Brendshme.
Në njoftimin për shtyp shkruhej se arsyeja e shkarkimit të Veliut është se “u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” për shkak të situatës me koronavirusin dhe se Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.
Një ditë më parë, presidenti Thaçi nënshkroi dekretin për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vend për shkak të koronavirusit.
Qeveria Kurti e quajti këtë gjë masë ekstreme dhe të panevojshme, ndërsa Agim Veliu u shpreh pro saj.
Agim Veliu është nënkryetar i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, partisë në koalicionin qeveritar me Vetëvendosjen.
Momentalisht detyrën do ta kryejë zëvendësministri aktual, Xhelal Sveçla. Albin Kurti ka bërë të ditur se i ka kërkuar kryetarit të LDK-së Isa Mustafës për të propozuar një emër të ri për postin e ministrit.
Deri më tani numri i personave të prekur nga koronavirusi në Kosovë është 19, nga 7 komuna të ndryshme administrative.