Shqipëria do të presë samitin e ardhshëm të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohet në 10 Qershor, në Pallatin e Brigadave.
Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet në Shqipëri më 10 qershor. Lajmi është konfirmuar edhe nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas një takimi me ambasadorin shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi.
Kryeministri Rama do të presë në Pallatin e Brigadave kryeministrat e Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë & Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Samiti do të drejtohet nga Rama dhe Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhelyi. Ky samit mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit, 2 javë para vendimit të Këshillit Europian lidhur me negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Tirana dhe Shkupi presin nga Këshilli vendimin për caktimin e një date për Konferencën e parë Ndërqeveritare, ç’ka do të thotë nisja zyrtare e procesit të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian.
Tema kryesore e takimit do të jetë integrimi i vendeve të rajonit në BE.
Maqedonia e Veriut është e bllokuar në procesin e integrimit nga Bullgaria e cila ka vendosur veton për shkak të pretendimeve gjuhësore dhe kulturore. Qeveria e Shkupit shpreson që Sofja të ndryshojë qëndrim në ditët në vijim. Zyrtarë të Bashkimit Europian janë shprehur kundër idesë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ndahen në procesin e integrimit europian.
Në samitin e vitit të shkuar liderët e vendeve ranë dakord për të rritur bashkëpunimin tregëtar dhe të miratojnë politika të gjelbra.
Kryeministrat do të bisedojnë gjithashtu për një plan rimbëkëmbje ekonomike pas pandemisë COVID-19.