Kryeministri Italian Giuseppe Conte i kërkoi sot partive të zgjidhin krizën politike, si një hap të nevojshëm për hapjen e negociatave me BE-në.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama, Zoti Conte u shpreh:
“Mbetet aktuale zgjidhja e krizës politike në Shqipëri për të kompletuar dhe procesin dhe për të pasur të gjitha letrat në rregull për takimin tjetër ku vendet anëtare do të thirren për të dhënë qëndrimin e tyre për zgjerimin [e BE-së]. Opozita dhe qeveria të ulen në dialog që të zgjidhin krizën.”
Kryeministri italian deklaroi se Italia do ta mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian:
“Ajo që mund të garantoj është se Italia do të jetë në reshtin e parë për ta mbështetur. Besoj se BE ka një përgjegjësi të madhe dhe nuk mund të ndërpresë këtë rrugë, as për ta shtyrë.”
Kryeministri Rama vizitoi sot në Romë kryeministrin Conte, si pjesë e një turi për të marrë mbështetje për hapjen e negociatave Shqipëri-BE.