Kryeministri dhe Komisioneri slloven përplasen për fondet e BE-së

Nga Exit News
Kryeministri dhe Komisioneri slloven përplasen për fondet e BE-së

Komisioneri Evropian, Janez Lenarčič ka hedhur poshtë një akuzë nga Kryeministri Janez Janša se ai po vepronte kundër interesave të Sllovenisë duke thënë, “Sllovenia po dëmtohet nga ata që minojnë sundimin e ligjit dhe lirinë e medias”, dhe jo nga ata që paralajmërojnë kundër një sjelljeje të tillë.

“Askund dhe asnjëherë nuk kam avokuar që fondet evropiane të bëhen të kushtëzuara, të kufizuara apo edhe të tërhiqen nga Sllovenia në asnjë mënyrë. Përkundrazi, shpresoj dhe uroj që diçka e tillë të mos ndodhë kurrë,” tha Lenarčič raporton EURACTIV.

“Kjo është pikërisht arsyeja pse unë kam paralajmëruar kundër veprimeve të caktuara nga qeveria që mund ta vendosin Slloveninë në një pozitë mjaft të pafavorshme kur bëhet fjalë për fonde të monitoruara të BE,” shtoi ai.

Komisioneri slloven, i cili është përgjegjës për menaxhimin e krizave, vuri në dukje se disa zyrtarë të lartë të qeverisë sllovene u përgjigjën me sulme të ashpra dhe fyerje ndaj atyre që ai tha se ishin paralajmërimet e tij me qëllime të mira.

Lenarčič është përballur me një breshëri kritikash në mediat sociale ditët e fundit për komentet e tij në përgjigje të Raportit të fundit të Sundimit të Ligjit të lëshuar nga Komisioni Evropian. Ai tha se mesazhi i raportit ishte se kishte shqetësime serioze në lidhje me sundimin e ligjit në Slloveni, veçanërisht në lidhje me pavarësinë e prokurorëve dhe mediave.

Ai tha se Komisioni dërgoi një mesazh të qartë se financimi i Agjencisë Sllovene të Shtypit (STA) nuk mund të bëhej i kushtëzuar duke minuar pavarësinë e saj.

Kryeministri Janša i përshkroi komentet e Lenarčič si politike, duke shtuar se Lenarčič ishte bashkuar me disa individë në Komision që po përpiqeshin të bënin fondet e rimëkëmbjes së BE për Slloveninë të kushtëzuara. “Për fat të mirë ai mbeti një pakicë. Është shembulli i parë i njohur i një komisioneri që përpiqet të dëmtojë drejtpërdrejt vendin e tij, ”shkroi Janša në Twitter.

Sundimi i ligjit renditet si një nga përparësitë e presidencës së Sllovenisë në Këshillin e BE dhe një nga temat e sesionit të sotëm jozyrtar të ministrave të çështjeve evropiane në Brdo pri Kranju.

Pas dorëheqjes së Marjan Šarec si kryeministër, Janša u zgjodh si kryeministër i caktuar në 3 Mars 2020, për të formuar Qeverinë e Sllovenisë. Ai cilësohet si politikan i ekstremit të djathtë ndërkohë që në prill të këtij viti ai u përfol se ishte autori i të ashtuquajturave ‘non-papers’, një dokument i dërguar në BE ku propozohej ndryshimi i kufijve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>