Kryeministri i Italisë jep dorëheqjen nesër, kërkon një mandat të ri

Nga Exit News
Kryeministri i Italisë jep dorëheqjen nesër, kërkon një mandat të ri

Kryeministri italian Giuseppe Conte do të dorëzojë dorëheqjen të martën pasi të ketë zhvilluar më parë një takim ku do t’i bëjë me dije vendimin kabinetit të tij ministror, thuhet në njoftimin e zyrës së tij.

Conte, i cili ka qenë në detyrë që nga qershori 2018, shpreson që Presidenti Sergio Mattarella t’i japë atij një mandat të ri për të formuar një qeveri me mbështetje më të gjerë në parlament, raporton Reuters.

Conte humbi shumicën e tij në Senat javën e kaluar, kur partia Italia Viva e udhëhequr nga ish-kryeministri Matteo Renzi la koalicionin pas kritikave për trajtimin e krizës së koronavirusit dhe recesionit ekonomik.

Përpjekjet e Conte për të joshur senatorët e qendrës dhe të pavarurit nuk kanë pasur sukses.

Kabineti do të mblidhet nesër në orën 9 të mëngjesit në të cilin Conte “do të informojë ministrat e tij për qëllimin e tij për të dhënë dorëheqjen. Ai më pas do të shkojë për të takuar Presidentin Sergio Mattarella,” thuhet në deklaratën e zyrës së kabinetit.

Italia ka pasur 66 qeveri që nga Lufta e Dytë Botërore, me kabinetet që janë shpërndarë dhe ribashkuar sërish pas bisedimeve.

Sidoqoftë, kur kryeministri jep dorëheqjen, nuk ka asnjë garanci se një koalicion i ri mund të formohet dhe gjithmonë ekziston rreziku që vendi të hyjë në zgjedhje të parakohshme.

Conte i kishte rezistuar dorëheqjes deri më tani nga frika se mos mund të riemërohej. Ai u përpoq të tërheqë senatorë të lëkundur në kampin e tij me premtime për një pakt të ri qeveritar dhe pozicione të mundshme ministrore.

Por përpjekjet e tij nuk patën sukses dhe ligjvënësit nga partia bashkë-qeverisëse Demokratike thanë se ai duhej të dorëhiqej dhe të hapte negociata zyrtare në mënyrë që të fitonte kohë për të krijuar një koalicion të ri.

Ligjvënësit e PD thanë se do ta mbështesnin atë për të udhëhequr një kabinet të ri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>