Kryeministri i plehrave

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Kryeministri i plehrave

Në tetor 2015, Endri Fuga, ish themelues i Mjaft-it dhe Shef Propagande në Zyrën e Kryeministrit Edi Rama shpalli krijimin e një faqe në Rrjet të qeverisë, transparenca.al. Sipas Fugës, kjo “faqe transparence”, e paguar me paratë e taksapaguesve, ka për qëllim të vetëm të përgënjeshtrojë akuzat e vazhdueshme të opozitës dhe “të disa portaleve mediatike të cilat i ofrojnë publikut informacion të pavërtetë apo të shtrëmbëruar”.

Efekti i padëshirueshëm anësor i këtij mjeti propagande, të kotë për çfarëdo qëllimi tjetër, është se ai tregon qartësisht cilat media janë në krah të qeverisë.

Anshmëria ekstreme e mediave mund të jetë një fakt i pranuar për këdo që jeton në Shqipëri, por duket gati i pabesueshëm për një të huaj.

Për këtë arsye faqja e transparencës është shumë informuese: në logjikën e qeverisë, ato media të cilat nuk janë përfshirë asnjëherë në transparenca.al, flasin gjithmonë të vërtetën—domethënë të vërtetën e Ramës, natyrisht.

Dhe cila është “ e vërteta” e Ramës këto kohë? Që importi i plehrave nga Italia është gjë e mirë për ekonominë shqiptare dhe që plehrat nuk paraqesin asnjë rrezik fare. Se importi është i nevojshëm që “infrastruktura ricikluese” ekzistuese të funksionojë siç duhet, pasi përndryshe ajo do të ketë kapacitete të pashfrytëzuara.

Rama do vërtet që kjo të jetë e vërtetë, edhe pse ai mund të mos e kuptojë edhe vetë se ç’përmban ligji i tij. Prandaj, mediat qeveritare po harxhojnë ditë e net duke shfaqur deputetë e zyrtarë qeveritarë që mbrojnë të pambrojtshmen: shkatërrimin e vullnetshëm ekologjik të Shqipërisë. Dhe për çfarë? A mos Ramës i duhet një tjetër vilë? Apo i kanë mbaruar paratë për të blerë bojë për të pikturuar?

Asnjë “argument” nuk po lihet pa u përdorur në përplasjen e madhe që ky akt i hipokrizisë së epërme ka shkaktuar me shoqërinë civile, përfshi veprimin e mrekullueshëm kolektiv që emrat e deputetëve pro ligjit ja u ngjiti si etiketë koshave të plehrave të Shqipërisë.

Dhe me të drejtë kështu. Ligji i cili kaloi me shpejtësi në Kuvend ofron më pak mbrojtje për mjedisin dhe qytetarët e Shqipërisë se një ligj i ngjashëm kundër të cilit protestoi vetë Edi Rama në vitin 2011.

Në fakt, protesta e Ramës kundër ligjit të ish-Kryeministrit Berisha për importimin e plehrave ishte një pjesë e rëndësishme e fushatës së tij zgjedhore.

A e përmenda gjë fjalën hipokrizi? Po e them edhe një herë: hipokrizi e tërë, e epërme, e neveritshme dhe poshtëruese.

Lana, e cila rrjedh përmes qendrës së Tiranës. (Foto e bërë në dhjetor 2015 nga Marco Mazzi)
Lana, e cila rrjedh përmes qendrës së Tiranës. (Foto e bërë në dhjetor 2015 nga Marco Mazzi)

Po çfarë duhet thënë për argumentet e ofruara? Po për mbijetesën e industrisë ricikluese në Shqipëri si i bëhet?

Më lejoni t’ju sjell fakte që do të dëshiroja shumë të mohoheshin nga mjeshtrat e transparencës qeveritare: është e pamundur që të mos ketë mjaftueshëm plehra në Shqipëri për funksionimin e plotë të fabrikave të riciklimit. Shikoni Lanën, shikoni Lumin e Tiranës. Shikoni në çdo cep të çdo rruge mali apo shtegu luginash. Shikoni në çdo cep të bregdetit.

Plehra, plehra, plehra. Asgjë tjetër veç plehrave. Ka mjaftueshëm plehra në Shqipëri sa për të ricikluar për një shekull të tërë!

Pastaj është “cilësia” e të ashtuquajturës industri ricikluese e cila po vuan kaq keq në mungesë të një ligji “të duhur”. Shpresoj se nuk ka nevojë t’u rikujtoj lexuesve se vetëm një muaj më parë një 17 vjeçar humbi jetën në qendrën “model” të riciklimit në Sharrë, të inaguruar dhe reklamuar nga Kryebashkikau i Tiranës Erion Veliaj.

Hulumtimet e mëtejshme—të papërgënjeshtruara asnjëherë nga transparenca.al—treguan se ky vend depozitimi dhe riciklimi plehrash shfrytëzuar punën e të miturve dhe ushtronte skllavëri praktike, duke i lënë gati të gjithë punëtorët të pa siguruar, pa kontratë, dhe të pambrojtur në një vend plot mbetje toksike. Për më tepër kompania 3R e kontraktuar nga shoqëri e përbashkët e Bashkisë së Tiranës me një bashki italiane, i përkiste një udhëheqësi vendor të Partisë Socialiste—i quajtur Edurim Teqja—i cili nuk u arrestua edhe pse është direkt përgjegjës për jetën e humbur, sikurse nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë përgjegjësit politik të kësaj tragjedie, kryebashkiakut Veliaj.

Kështu edhe nëse plehrat e importuara do të sillnin më shumë punë, kush do të donte të punonte në kushte të tilla. Natyrisht, vetëm ata më të varfrit dhe më të pambrojturit. Njerëz që do të votojnë përsëri për Ramën në shkëmbim të një thesi miell, pavarësisht vuajtjes së tyre.

sharre-lr
Lendfilli i Sharrës

Rama pohon se ligji nuk lejon djegien e plehrave. Po, atëherë, pse “industria ricikluese” filloi të ndërtojë një fabrikë djegieje në Elbasan?

Rama pohon se doganat kanë kompetencën për të kontrolluar “cilësinë” e plehrave. Por atëherë kur doganat qenkan kaq të afta, si shpjegohet që arijnë të arratisen nga vendi pa u parë nga askush dhjetëra tonë mariuanë? (Po, ne nuk e kemi harruar se qeveria Rama qëndron në krye të rritjes së jashtëzakonshme të plantacioneve të kanabisit në Shqipëri.)

Dhe argumenti përmbyllës se nuk duhet “të ndëshkojmë” një industri që punëson kaq shumë njerëz edhe pse nuk po punon me kapacitet të plotë. Por për çfarë lloj pune jemi duke folur, punë që vetëm sjell sëmundje dhe vdekje?

Me një ligjërim të tillë qeveritar, plot gjysmë të vërteta—të cilat përhapen nga një elitë mediatike pa shtyllë kurrizore dhe me gjuhën ngjitur në prapanicën e Ramës—e vetmja gjë transparente që do të mbetet në Shqipëri janë qeset plastike italiane të hedhura ngado në peizazhin e Shqipërisë.

Edi Rama e konsideron “sharlatan” çdokënd që po lufton kundër këtij ligji të përbindshëm. Atëherë, unë jam një sharlatan. Si unë janë shumë të tjerë. Sot jemi të gjithë sharlatanë.

Është jo i rastësishëm por prapë njësoj qesharak fakti se këshilltarja e Ramës për menaxhimin kulturor apo çfarëdo qoftë, Lorenza Baroncelli, dhe shefi i saj Mattia Pallazzi para pak kohe e kërcënuan Exit.al më padi gjyqësore për shpifje. Mezi po e pres padinë zyrtare, por ndërkohë do të doja shumë ta ftoja Kryeministrin tonë të Plehrave në të njëjtën ngasje. Sepse ai duhet të thirret publikisht nga të gjithë sharlatanët e Shqipërisë me atë emër që ai është në të vërtetë: një gënjeshtar patologjik dhe patogjenik.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>