Kryeministri importon krizën europiane për të favorizuar spekullantët

Nga Neritan Sejamini
Kryeministri importon krizën europiane për të favorizuar spekullantët

Ishte e pazakontë dhe e dyshimtë për një kryeministër, dalja publike e Edi Ramës për të paralajmëruar një “krizë të jashtëzakonshme”, si ajo e tërmetit dhe e pandemisë, për shkak të rritjes së pritshme “marramendëse” të çmimeve të energjisë, që do të ndodhë gjatë një “dimri të tmerrshëm”.

Kryeministrat dalin për të qetësuar, për ta shmangur e jo për ta nxitur panikun; dalin për të lajmëruar kurën për pasojat e një krize, jo për të shpallur fatalitetin krizës.

Reagimi i kryeministrit tonë duket edhe më i pajustifikuar, nëse bëhet një vlerësim i shpejtë i gjendjes së sotme të energjisë në Europë dhe Shqipëri.

Çmimet e gazit natyror janë rritur ndjeshëm, gjatë javëve të fundit, në gjithë Europën. Në fakt, rritja graduale e tyre ka filluar prej një viti, për shkak të dimrit të ashpër dhe punës nga shtëpia të shumë europianëve që rriti kërkesën për gaz për ngrohje.

Për shkak se gazi është, gjithashtu, lënda më e përdorur në prodhimin e energjisë elektrike në BE, ka filluar prej javësh edhe një rritje e çmimit të energjisë elektrike në shumë vende.

Nga ana tjetër, duke qenë ka filluar një prirje për të zëvendësuar gazin me naftë, si rezultat është duke u rritur edhe çmimi i naftës në shumë vende europiane.

Pasojat e rritjes së çmimeve të energjisë po ndihen në një sërë industrish, duke shkaktuar probleme serioze ekonomike.

Dimri mund t’i përkeqësoje gjërat, për shkak të rritjes së kërkesës për ngrohje, e cila realizohet më së shumti me gaz dhe energji elektrike në mbarë Europën.

Përtej rritjes së kërkesës për energji, ka shumë tregues që të çojnë në përfundimin se kriza ka të bëjë, gjithashtu, me uljen e furnizimit  apo manipulimin e ofertës së gazit.

Rusia është furnizuesja kryesore e Europës— të paktën 40 për qind e gazit që përdoret në Bashkimin Europian vjen nga Rusia, dhe çdo lëvizje ruse ndikon menjëherë në gjithë tregun e energjisë.

Javën e shkuar, Sekretari i Energjisë i SHBA-ve i bëri thirrje Evropës të rezistojë në një kohë kur “ka aktorë, të cilët mund të manipulojnë furnizimin me qëllim për të përfituar për vete”. Ndërsa, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë i bëri thirrje direkte Rusisë të mos ulë furnizimin me gaz dhe “të dëshmojë se është partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Besohet se Rusia po ushtron trysni ndaj BE-së dhe SHBA-ve në lidhje me gazsjellësin Nord Stream 2, që lidh Rusinë me Gjermaninë, i cili ka mbetur pezull nga kundërshtimi i ashpër i SHBA-ve, me arsyetimin se ai rrit varësinë e Europës nga Rusia.

Kohët e fundit, Presidenti Biden është shprehur se mund ta tërheqë kundërshtinë amerikane për projektin dhe duket se, prandaj, Rusia po rrit presionin e saj. Nga ana tjetër, BE ka në fuqi sanksione ekonomike kundër Rusisë, dhe kjo e fundit kërkon ta detyrojë ekonomikisht BE-në të tërhiqet prej tyre.

Natyrisht, rritja e çmimeve është ndikuar edhe nga ndryshimet në sektorin e energjisë. Holanda dhe disa vende të tjera po bëjnë kalimin nga energjia e prodhuar nga qymyri tek energjia e pastër. Por ky kalim po ndodh me vështirësi, sidomos kur prodhimi i energjisë nga burime diellore apo të erës luhatet në varësi të kushteve të motit.

Gjendja e tanishme ka krijuar pesimizëm për periudhën e dimrit, veçanërisht kur ekonomia europiane po rikthehet në nivele normale pas epidemisë dhe ka kërkesë të rritur për energji.

Megjithatë, nuk ka ende shpjegime e parashikime nëse kemi të bëjmë me një rritje të shkëputur momentale apo me fillimin e një rritje që do zgjasë gjatë.

Por e ndryshme është gjendja në Shqipëri.

Shqipëria është konsumatore minimale e gazit, i cili përdoret pak si në industri edhe në familje. Prandaj, rritja e çmimeve të gazit në tregjet europiane ka ndikim të kufizuar ekonomik në vendin tonë.

Shqipëria përdor, kryesisht, energjinë elektrike për ngrohje dhe në industri. Prodhimi vendas i energjisë realizohet 100 për qind nga hidrocentralet. Në periudhën e lagësht të vitit, ne prodhojmë më shumë elektricitet se sa konsumojmë dhe e eksportojmë atë që nuk konsumojmë. (Gjatë verës, kur rezervat ujore të liqeneve janë të pakta ne importojmë elektricitet.)

Për këtë arsye, prodhimi dhe çmimet e energjisë elektrike në Shqipëri nuk varen nga tregjet europiane, të paktën gjatë periudhës së rreshjeve. Madje, Shqipëria mund të përfitojë nga kriza europiane për të shitur më shtrenjtë elektricitetin që do eksportohet gjatë dimrit.

Rritja e çmimit të naftës në Europë e për rrjedhojë në Shqipëri ndikon në koston e transportit të brendshëm, por ky ndikim është i kufizuar pasi transporti është element i ulët kostoje në kushtet kur shumica e ekonomisë dhe konsumit të vendit është e përqendruar në zonën Tiranë-Durrës-Fier.

Problem i naftës ka edhe një element tjetër. Shqipëria prodhon dhe eksporton mbi gjysëm miliardë euro naftë të papërpunuar në vit. Nëse kjo naftë do të përpunohej në vend, varësia nga nafta e huaj do të ishte shumë më e ulët.

Ka vite që qeveria premton investime private në rafinerinë e Ballshit, por nuk i ka mundësuar kurrë. Ndërkohë që kompanitë e nxjerrjes së naftës nuk paguajnë taksa, pasi nuk deklarojnë fitim prej dekadash.

Për këto duhet të shqetësohet qeveria për të kontrolluar dhe menaxhuar ndikimin e krizës së energjisë në Shqipëri.

Sidoqoftë, ajo nuk duhet kurrsesi të bëjë deklarata që ndihmojnë spekulantët ekonomikë për të abuzuar me çmimet, jo vetëm në fushën e energjisë, por në çdo fushë tjetër.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>