Kryeministri ynë si politikan botëror

Nga Rigers Lako
Kryeministri ynë si politikan botëror

Në nderim të 29 nëntorit, Kryeministri Rama organizoi dje një pritje-koktej, në të cilën mbajti një fjalim përkujtimor (mund të lexohet në faqen zyrtare të kryeministrisë).

Fjalimi ishte një persiatje e gjatë për të lidhur luftën botërore të para 70 vjetëve kundër nazizmit me përpjekjet e sotme kundër terrorizmit. Pothuajse i gjithë fjalimi u mor me rrezikun e Shtetit Islamik ndaj qytetërimit perëndimor dhe 29 Nëntori përmendet pak herë në fjalim kryesisht si frymëzim për të luftuar për shpëtimin e qytetërimit perëndimor nga ISIS!

Edhe ky rast dëshmoi të njejtën gjë që, tashmë, dëshmojnë të gjitha fjalimet e Kryeministrit: një gjendje të përhershme megallomanie e deliri në lidhje me perceptimin që Kryeministri ka për staturën dhe rolin e tij. Prandaj fjalimet zakonisht peërshkruhen nga toni i një personaliteti botëror, gati profetik, i cili shikon, di apo kupton gjëra që të tjerët nuk i shohin, nuk i dinë ose nuk kanë aftësinë t’i kuptojnë.

Kudo dhe kurdo që i jepet rasti, Kryeministri ynë tregon “vetëdije” të thellë dhe “shqetësim” për çështje për të cilat vetëm një grusht i vogël udhëheqësish të sotëm apo historikë kanë qenë të vetëdijshëm apo të shqetësuar. Ai shqetësohet për të njejtat çështje që dikur shqetësonin Linkolnin apo Çurcillin e tani shqetësojnë Papa Fraçeskun apo Obamën. Kështu, në fjalimet e tij gjen shqetësim për të ardhmen politike dhe ekonomike të Bashkimit Europian, për paqen botërore dhe bashkëjetesën mes feve e kulturave të ndryshme, sikurse gjen trajtime të thella filozofike mbi natyrën e politikës apo të artit ose të artit në politikë apo politikës në art.

Kryeministri rrallë merret me problemet e shoqërisë sonë, Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur i duhet të na qortojë për sjelljet tona jo perëndimore, si për dembelizmin, mos respektimin e semaforit, etj. Ani pse shqiptarët jetojnë përgjithësisht në varfëri, ani pse shumë prej tyre po përpiqen të largohen nga vendi i tyre, ani pse ata ndeshin çdo ditë padrejtësi, pabarazi dhe mungesë të mundësive për të ardhmen.

Sikurse e ironizoi me tallje kryeministri serb para pak muajsh, Kryeministri ynë mendon dhe beson se është vërtet një politikan botëror dhe jo lokal. Ndaj ai nuk flet për problemet tona, të cilat duket se e bezdisin pasi janë shumë të vogla për nivelin e tij. Problemet tona janë të nivelit të Niko Peleshit, Arben Ahmetajt apo Koço Kokëdhimës, por kurrsesi të nivelit të një udhëheqësi botëror të shqetësuar për probleme me rëndësi e pasoja globale.

Është pikërisht ky lloj mendimi për veten që e shtyn Kryeministrin që fjalimet e tij, pavarësisht nga çështja që trajtojnë, t’i mbushë me referenca ngjarjesh të mëdha të historisë botërore dhe citime figurash të mëdha të politikës botërore, duke “dëshmuar” kështu në rrugë e sipër edhe “erudicion” të thellë intelektual.

Në këtë traditë, edhe fjalimi i djeshëm ishte një koktej megallomanie, mediokriteti, e fatkeqësisht, banaliteti. Jo vetëm sepse u rrek të adoptojë si problem tonin, pa qënë i tillë, një problem të Francës apo vendeve perëndimore, por edhe sepse përmbajtja dhe stili i fjalimit ishin qesharake (pa folur për një tjetër anë qesharake – fjalimi i nivelit botëror u mbajt para disa nga përfaqësuesve injorantë e vulgarë të politikës, biznesit e medias).

Kështu, fjalimi është plot me banalitete e shprehje gati shvejkiane si “e djeshmja na flet përmes të sotmes që të mbrojmë të nesërmen, njësoj si dje” apo “sfida e këtij qytetërimi që i përkasim është të fitojë luftën pa humbur paqen.”

Ndërkohë nuk mungojnë absurditetet në arsyetim si, për shembull, krahasimi i atyre që dhanë jetën në luftë kundër pushtuesve nazistë me qytetarët e thjeshtë francezë që u bënë viktima ndërsa po jetonin qetësisht jetën e tyre të përditshme, kur thotë se “të gjithë ato djem dhe vajza që dhanë jetën [në luftën kundër nazistëve] pa u bërë dot burra dhe gra, na flasin përmes djemve dhe vajzave që e humbën jetën e tyre fare të re në kasaphanën e Parisit.”

Të dhënat e mëposhtme flasin vetë pa patur nevojë për komente të tjera.

Fjalimi ka 23 paragrafë, nga të cilët:

  • 2 paragrafë për Shqipërinë
  • 3 paragrafë i referohen Shqipërisë thjesht si kontekst për ide globale
  • 18 paragarafë flasin për ngjarje e sfida botërore nga Lufta I Botërore deri më sot

Fjalimi ka 6 citate (fjalë për fjalë apo të perifrazuara), nga të cilat:

  • 1 citat është nga Papa Françesku
  • 1 citat nga Ruzvelti
  • 1 citat nga Çarls dë Gol
  • 2 citate nga presidenti francez Hollande
  • 1 citat nga Ipeshkvi i Mosulit

Fjalimi përmend:

  • Papa Françeskun: 2 herë
  • Çarls dë Golin: 2 herë
  • Presidentin Hollande: 2 herë
  • Uinston Çërçillin: 1 herë
  • Teodor Ruzveltin: 1 herë
  • Jusuf Tomas Mirkisin: 1 herë

Fjalimi i referohet:

  • Nënshkrimit të Kartës Atlantike në vitin 1940 – 1 paragraf
  • Sulmit kundër Pearl Harbor në vitin 1941 – 2 paragrafe
  • Përpjekjeve të Çarls dë Gol dhe Çurçillit në Luftën II Botërore – 2 paragrafë
  • Një takimi të Çarls dë Gol me të rinjtë në vitin 1962 – 1 paragraf
  • Sulmet terroriste në Paris – 4 paragrafë
  • ISIS: 4 paragrafë

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>