Kryeministri mbron në Le Monde “aktin barbar” me citate fallso shekspiriane dhe gënjeshtra të mëdha shqiptare

Nga Alba Mborja
Kryeministri mbron në Le Monde “aktin barbar” me citate fallso shekspiriane dhe gënjeshtra të mëdha shqiptare

“’Budallallëku dhe mençuria janë aq të lehta për t’u kapur sa edhe sëmundjet infektive’, ka shkruar Uilliam Shekspiri. ‘Pra, zgjidhini miqtë tuaj me kujdes’, shtoi ai.”

Me këto fjalë “shekspiriane” ka hapur një artikull botuar të dielën në Le Monde Kryeministri Edi Rama, me anë të të cilit është përpjekur të mbrojë atë që pak ditë më parë Le Monde e quajti një “akt barbar”: prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar.

Shekspiri nuk i ka shkruar apo thënë askund këto fjalë. Ato janë një rast i rëndomtë i sajesave në epokën e internetit, kur çdo kush mund të shkruajë diçka që tingëllon e thellë dhe të shënojë poshtë saj një emrin e kujtdo.

“Dikush mund të pyesë veten se çfarë do të mendonte Shekspiri, virtuozi i madh i teatrit për këtë fenomen të mjerueshëm, që ne e quajmë sot dezinformim dhe epideminë e së pavërtetave,” vazhdon artikullin Edi Rama.

Ne mendojmë se Shekspiri do të thoshte: “Oh, sa dukje të bukur ka fallciteti!”

Lehtësisë me të cilën Kryeministri shtiret si njeri i lexuar, si njohës i Shekspirit apo figurave të mëdha të dijes, ja kalon vetëm lehtësia me të cilën ai përpiqet të shesë gënjeshtrat për të vërteta.

Artikulli në Le Monde përmban edhe një citim nga Albert Kamy të nxjerrë nga konteksti, dhe një citim të dyshimtë nga Francis Bacon, por ajo që është e padiskutueshme është se ai është i mbushur me gënjeshtra, keqinformim, shtrembërim apo fshehje të së vërtetës në lidhje me kauzën e Teatrit Kombëtar.

Më poshtë po sjell gënjeshtrat kryesore të artikullit.

— “Në maj të vitit 2020, Këshilli Bashkiak i Tiranës urdhëroi njëzëri shkatërrimin e ndërtesës së ish-Teatrit Kombëtar në Tiranë, pas deklaratave të përsëritura për një kohë të gjatë nga agjencia kombëtare shqiptare, përgjegjëse për inspektimin e ndërtesës, sipas së cilës kjo ndërtesë nuk ishte më e sigurtë dhe më pas duhej të evakuohej dhe prishej…”

Asnjë agjenci shqiptare nuk ka arritur në përfundimin dhe nuk ka bërë asnjëherë thirrje që kjo ndërtesë duhet të prishtet. Një raport i dyshimtë i Institutit të Ndërtimit thjesht ka arritur në përfundimin se kjo ndërtesë ishte e papërshtatshme dhe nuk mund të restaurohej si teatër. Por ky raport as nuk sugjeronte dhe as nuk flet për prishje të ndërtesës, duke lënë të hapur mundësinë që ai të restaurohej dhe përdorej për shumë qëllime të tjera.

— “Ndërsa tashmë kishte filluar puna e prishjes, disa parti politike shpejt organizuan një demonstrim, i cili për fat të keq u përshkallëzua, duke çuar në shtrimin në spital të dy oficerëve të policisë.

Pohimi është i gënjeshtër, keqinformues dhe fsheh të vërtetën. Ai fsheh faktin se qindra qytetarë të organizuar nën Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit qëndruan për më shumë se dy vjet kundër prishjes duke sprapsur një ligj të posaçëm antikushtetues dhe shmangur, të paktën përkohësisht, skemën korruptive të vjedhjes së tokës së teatrit për llogari të interesave private.

Ndërsa është e vërtetë se parti politike ju bashkangjitën protestës duke u përpjekur të fitonin kapital politik, ato nuk qenë asnjëherë aktorë qendrorë në kauzën e teatrit.

Gënjeshtra se në ndërhyrjen e dhunshme për prishjen e teatrit u plagosën dy policë, është aq e madhe sa Rama nuk ka guxuar ta artikulojë atë asnjëherë në opinionin publik vendas.

— “Sipas ekspertëve të trashëgimisë, të cilët janë shprehur me kalimin e kohës sa herë që ky argument kthehet në rendin e ditës, nuk kishte absolutisht asgjë jetike për këtë strukturë të shkatërruar, të ndërtuar në 1939-n si një vend argëtimi për forcat pushtuese italiane që jetonin në Tiranë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Edhe ky pohim është i gjithi i gënjeshtërt. Sikurse kemi shpjeguar këtu, ndërtesa u porosit dhe u projektua që në fillim si një komplek kultutor shqiptar nga Mbreti Zog, dhe thjesht u financua dhe ndërtua nga italianët. Ajo nuk ka patur asnjë lidhje me ushtrinë italiane edhe pse mund të jetë përdorur prej saj pas pushtimit të Shqipërisë nga fashistët italianë.

Ndërkohë, nuk ka asnjë pohim, studim apo vlerësim të kësaj godine nga ekspertët e trashëgimisë.

— “I ndërtuar me tallash të parafabrikuar dhe ashkla druri, misioni i tij ishte i përkohshëm.

 Një tjetër gënjeshtër, ndërtesa ka qënë e projektuar si ndërtesë e përhershme, sikurse është sqaruar këtu.

— “Ndërtesa e Teatrit Kombëtar asnjëherë nuk është klasifikuar si monument i mbrojtur.”

Kjo është sërish e pasaktë, sepse në VKM-në e vitit 2000, Teatri Kombëtar ishte pjesë e zonës së mbrojtur historike.

— “Me gjithë këtë histori të zymtë, opozita politike shqiptare ka arritur të ndërtojë një legjendë sipas së cilës kjo ndërtesë e rrënuar, e projektuar dobët dhe pa unitet estetik ishte zemra dhe shpirti i kulturës shqiptare.

Kjo ndërtesë ka qënë një nga ndërtesat me unitetin dhe harmoninë më të madhe estetike në gjithë urbanistikën shqiptare. Ajo ka qenë një nga ndërtesat e rëndësishme historike, urbanistike të Tiranës, që ka pak vlera të tilla.

Për këtë arsye, është fakt që kundër prishjes së ndërtesës kanë qenë të gjitha qeveritë dhe forcat politike me përjashtim të Edi Ramës. Kjo është arsyeja pse Rama ndonëse ka dashur ta prishë që në vitin 1998, nuk e prishi atë përgjatë qeverisjes së socialistëve dhe demokratëve që atëhere dhe ja doli vetëm kur u bë vetë kryeministër dhe Veliaj kryebashkiak.

— “E gjitha kjo, pa verifikuar faktet dhe pa përmendur fare procesin e saktë të konsultimit publik me qytetarët që u zhvillua në lidhje me këtë teatër dhe që zgjati dy vjet e gjysmë…. Pasuan 12 konsulta publike të ndjekura nga zyrtarët e bashkisë së qytetit. U zhvilluan gjithashtu dhjetëra diskutime gjithëpërfshirëse me institucione, aktorë të veçantë, krijues, prodhues, arkitektë, ekspertë të trashëgimisë kombëtare dhe akademikë.

Mashtrim i hapur! Për teatrin nuk ka pasur asnjëherë konsultime publike, me përjashtim të disa shfaqjeve show nga Bashkia Tiranë me njerëz të përzgjedhur prej tyre. Madje për këtë teatër nuk ka ende një projekt të mirëfilltë teknik, vec një skicë ide. Duhet theksuar se ligji shqiptar përcakton rreptësisht procedurën e konsultimeve publike.

Në mbyllje të artikullit, Rama përmend një thënie, që i atribohet në mënyrë të pavertetuar Francis Bekonit, “Shpif, Shpif se gjithmonë do mbetet diçka”. Fatkeqësisht për Edi Ramën në histori dhe në kanalet e shtypit botëror, nuk do mbeten shpifjet e tij, por pamjet dhe përshkrimi i asaj që Le Monde e quajti ‘akti barbar’ i prishjes së një vepre të rrallë historike, kulturore dhe urbanistike të Shqipërisë.

3 komente

  1. Tiku 2 Qershor, 2020 në 11:36 pm

    Edvin Enver HOXHA eshte nje kriminel MAFJOZ, qe u vendos ne pushtet me votat e banda e MAFJOZE dhe me aprovimin nga FYRER MERKEL. E gjitha anarshia ne Shqiperi, vjen nga GRUPET qe dhuruan tokat e ILIRISE dhe qe vazhdojne te krijojne destabilitet politik, pasi kane frike se mos perseritet historia nga rraca PELLAZGO – ILIRE – SHQIPETARE. Populli Shqiptar kerkon qe ti bashkohet familjes ne BE, por qe kundershtohet nga politikanet MAFJOZ E P. P. SH qe kane zene karriket ne Parlament dhe kundershtojne BE per INTERESAT E TYRE. Znj. MERKEL bijes se ADOLF HITLERIT i them dy gjera : – DO TE VIJE DITA QE SHQIPTARET DO TA TUNDIN PLANETIN TOKE.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme