Në një artikull për The Wall Street Journal, kryeministri Edi Rama flet bindshëm pro krijimit të Zonës Ekonomike Rajonale mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, siç është diskutuar sot gjatë Samitit të Triestes.
Në artikull, Zoti Rama argumenton se “zhvillimi i ulët ekonomik” është shkaktari i “gjykatësve e prokurorëve të korruptuar” dhe “politikanëve të korruptuar”:
“Shqiptarët dhe fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor kanë vuajtur nga vite të tëra mungese qëndrueshmërie, pjesërisht për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik. Ne kemi gjykatës dhe prokurorë të korruptuar pikërisht, sepse ata duan pjesën e tyre të thërrimeve. Politikanët e korruptuar na kanë zaptuar pikërisht për të njëjtën arsye.
Kur mënyra më e mirë për të krijuar influencë është politika, në vend të nismës personale dhe sipërmarrjes, konfliktet janë të pashmangshme. Ato mund të marrin forma të ndryshme, nacionalizëm etnik në disa raste, sektarizëm fetar në disa të tjera apo ndarje ideologjike diku tjetër. Por, kur resurset janë të pakta, gjithmonë përfundon tek kush njeh, në vend të çfarë di të bësh.”
Megjithëse ky argument duket se qendron, ai e thotë për dy arsye: 1) të përjashtojë nga “ekuacioni” veten dhe 2) në thelb të ngrejë pretendimin se ekonomia është më e rëndësishme se politika dhe sundimi i ligjit.
Në pjesën e parë të deklaratës së Zotit Rama, është e paqartë se kush është “ne” që ka “gjyqtarë e prokurorë të korruptuar”, apo kush janë këta që “i kanë zaptuar politikanët e korruptuar”. Duket se në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë i është drejtuar “popullit shqiptar”, por në të njëjtën kohë Rama bën një ndarje të qartë mes “ata” të korruptuarve dhe “ne” të pafajshmëve, ky natyrisht përfshihet dhe Rama.
Megjithatë Kryeministri Rama ka qenë në skenën politike shqiptare për rreth 20 vjet dhe për korrupsionin masiv që ka ndodhur këto viti nuk mund t’i vihet faji, qoftë edhe pjesërisht, zhvillimit të ngadalshëm e të ulët ekonomik. Politika, madje edhe në vendet “më të pasura” ka ndikim të madh në ekonomi. Për të treguar këtë ndikim mjafton të përmendim se sa ra bursa Dow Jones (indeksi i tregut të aksioneve) kur i biri i Presidentit Trump, Donald Trump i Riu, publikoi korrespondencën e tij me një avokat rus.
Modelet tona ekonomike nxiten dhe lehtësohen nga politika, dhe Zona Rajonale Ekonomike, e mbështetur fuqishëm nga Rama, është një iniciativë politike. Nuk është se tregjet në Shqipëri dhe Serbi në mënyrë spontane do të fillonin të bashkoheshin!
Për më tepër, të vendosësh “ndarjet ideologjike” në të njëjtin nivel si “sektarizmi fetar” është një veprim shumë i diskutueshëm që flet më shumë për dëshirën e Ramës për një shtet njëpartiak sesa për një kuptim të vërtetë të procesit demokratik. Por sërish, çfarë mund të presim nga një lider i cili dëshiron të “ndryshojë rrënjësisht” mënyrën se si deputetët kryejnë punën e tyre dhe të fillojë një “bashkë-qeverisje të drejtpërdrejtë jokushtetuese me njerëzit”?
Nëse e lexojmë me kujdes argumentin e Ramës, në fakt kuptojmë atë çfarë ai vërtetë ka dashur të thotë: Politika nuk është e rëndësishme, përsa kohë unë jam udhëheqësi suprem. Ekonomia është çelësi, për sa kohë miqtë e mi oligarkë pasurohen, do të ketë më pak korrupsion.
Po, kjo është pikërisht aq absurde sa duket!