Kryeministri Rama harron hotelin e tij të preferuar me 5 yje

Kryeministri Rama harron hotelin e tij të preferuar me 5 yje

Sot në Kuvend u diskutua paketa fiskale për vitin 2018, e cila përfshin planin e qeverisë për përjashtimin nga taksat për 10 vjet për hotelet me 4 dhe 5 yje. Edhe pse FMN-ja ka shprehur dyshimet e saj mbi këtë politikë të qeverisë Rama për të tërhequr investime të reja të huaja, dhe sugjeron se ky vendim i lë rrugë të lirë konkurencës së pandershme, Kryeministri Rama e mbrojti me pasion këtë propozim:

“Jemi një vend për të cilin kanë folur të gjithë ato kryeministrat patriot, është më i bukuri, më i miri dhe është turistik dhe është me dete, me erëra që fryjnë dhe me diell që lind e perëndon më bukur se kudo. Dhe sot jemi i vetmi vend në të gjithë rajonin që s’kemi hotel me 5 yje. Ne do ndërtojmë hotele me 5 yje në Shqipëri.”

Edi Rama duket se e ka harruar se ekzaktësisht një vit më parë, në 16 nëntor 2016 ai inaguroi “hotelin e parë me 5 yje” në Tiranë, për të cilin ai shkroi se:

“Dje në ceremoninë e çeljes së Hotel Plaza, një vepër më shumë në koleksionin e perlave të arkitekturës bashkëkohore europiane; e vlerësuar ndërkombëtarisht nga Muzeu i Artit Modern të Nju Jorkut, si një ndër 10 godinat më mbresëlënëse që janë ndërtuar në 10 vitet e fundit; e ekspozuar si maket në vendin e nderit, në Bienalen e arkitekturës në Venecia që është platforma më prestigjioze e shfaqjes se arkitekturës botërore. Kjo vepër është tanimë pjesë e peizazhit të kryeqytetit, një prani e bukur, shumë tërheqëse dhe jo vetëm kaq, por edhe nxitëse për imagjinatën e kujtdo që e sheh. Por s’ka po ashtu dyshim që si i pari hotel me pesë yje në Tiranë, Plaza është në lartesinë e arkitekturës së saj edhe në gjithë infrastrukturën dhe strukturën e mikpritjes.”

Si i vetmi hotel me 5-yje, Plaza, në pronësi të një prej oligarkëve të Shqipërisë, do të jetë një nga përfituesit direkt të planin fiskal të Ramës. Ndërsa qeveria dhe institucionet e huaja si Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojnë të shpenzojnë para publike në sallat e tij, sikurse ndodhi për organizimin e “Ditëve të Medias në Ballkanin Perëndimore”.

Nëse plani i Ramës miratohet, të gjitha fitimet e Hotel Plazës nga paratë publike të shqiptarëve dhe qytetarëve të BE-së do të shkojnë direkt në xhepat e pronarëve të tij, dhe jo në zhvillim e ekonomisë së vendit.

E për të errësuar këtë fakt, Kryeministrit Rama zgjodhi sot “të harrojë” hotelin e parë me 5 yje në Shqipëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>