Rama mohon krimin duke nxitur nacionalizmin dhe anti-europianizmin

Rama mohon krimin duke nxitur nacionalizmin dhe anti-europianizmin

Kryeministri Edi Rama duket se është i vetmi që vazhdon të mos pranojë faktin se shqiptarët po largohen në masë nga Shqipëria për të kërkuar azil në Evropë, ndërkohë që po rritet përfshirja e shqiptarëve në trafiqe dhe aktivitete kriminale në vendet europiano-perëndimore.

Edhe pse disa vende evropiane, si HolandaFranca, po marrin në shqyrtim rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, si pasojë e kërkesave të larta për azil dhe kriminalitetit në rritje, Kryeministri Rama vazhdon të deklarojë se “shqiptarët janë thjeshtë emigrantë që kërkojnë punë”.

Është një terminologji e zgjedhur qëllimisht për ta bërë dukurinë të duket normale apo romantike, duke fshehur kështu faktin se emigrimi i shqiptarëve është në thelb aktivitet i paligjshëm. Mbi të gjitha, ai përpiqet të fshehë shkakun e emigrimit—mungesën e shpresës për të ardhmen si shkak i keqqeverisjes së vazhdueshme.

Dy ditë më parë, i ftuar në emisionin Top Story, Kryeministri Rama pohoi:

“Shqiptarët nuk janë azilkërkues, janë emigrantë që kërkojnë punë. Shqiptarët janë europianë që shkojnë në Europë për punë, njësoj siç shkojnë polakë, bullgarë etj, etj.”

Krahasimi me bullgarët dhe polakët është tinzar, sepse në fakt emigrimi i tyre është lëvizje e lirë e krahut të punës, një e drejtë themelore që buron nga qenia qytetarë të BE-së, ndërsa emigrimi i shqiptarëve është i paligjshëm. Në vende si Britania, që nuk janë pjesë e Shengenit, madje emigrimi bëhet edhe duke shkelur në mënyrë të paligjshme kufijtë.

Të njejtën qasje mohuese dhe manipuluese ndjek Kryeministri edhe për problemin e kriminalitetit të shqiptarëve në vendet e BE-së.

Pak javë më parë, në një takim informal me liderët e Ballkanit dhe Komisionerin për Zgjerimin Johannes Hahn, Kryeministri Rama refuzoi të pranojë se kriminaliteti shqiptar po bëhet shqetësues për disa vende evropiane ku ata janë emigrantë të ligjshëm apo të paligjshëm:

“…[N]uk bëhet fjalë që ne të pranojmë që të identifikohemi për propagandë si problem kriminal, apo ku ta di unë se çfarë. Kriminelët nuk kanë atdhe. Janë njerëz që bëjnë krime dhe të shkojnë të paguajnë sipas vendeve. Ne kemi për borxh të merremi me kriminelët në Shqipëri dhe nuk i ndajmë, a janë italian, a janë shqiptar, a janë grekë, a janë brazilianë. Ata të merren me kriminelët në vendet e tyre dhe mos të na shqetësojnë me këto ndarje.”

Kryeministri tregon padije, të sinqertë ose të qëllimshme, të faktit se qeveritë e vendeve të BE-së i klasifikojnë normalisht ligjshkelësit nga ana e nacionalitetit, pavarësisht Shqipërisë. Madje standardi europian është ai i mbajtjes së të dhënave edhe sipas racës, enticitetit, gjinisë, etj.

Ka arsye objektive për ketë, të lidhura me analizmin e shkaqeve, natyrës, rrugëve dhe mënyrës më efikase së luftimit të krimit për këtë qasje kalsifikuese.

Ndaj ajo që Kryeministri e quan etiketim etnik, është në fakt mënyra profesionale si bota lufton krimin dhe nëse qeveria e tij në Shqipëri nuk i ndan sipas nacionaliteteve autorët e krimeve tregon që ajo është diletante në luftën ndaj krimit.

Por më e rëndësishmja është se Kryeministri Rama përpiqet të fshehë atë që qeveritë europiane dinë mirë: krimi shqiptar në Evropë ka marrë hov së fundmi kryesisht për shkak të përfshirjes së tij në kultivimin dhe trafikun e kanabisit nga Shqipëria.

Ky trafik po prodhon të ardhura të jashtëzakonshme për trafikantët e kanabisit, shumica prej të cilëve janë shqiptarë—para që po përdoren ndër të tjera për zgjerimin e aktivitetit të tyre kriminal. Si pasojë e këtij pasurimi ngha janabisi, krimi shqiptar tani po përfshihet gjereësisht në trafikun e kokainës dhe heroinës—për këtë të fundit, vetë Shqipëria është korridor kryesor i kalimit nga Azia në Europë.

Toleranca e plotë e qeverisë ndaj kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, të paktën përgjatë territorit shqiptar, e ka bërë këtë aktivitet krim pa asnjë lloj rreziku. Me propagandën e tij, Kryeministri përpiqet të mbulojë në rradhë të parë pikërisht realitetin e provuar të mungesës së efikasistetit të luftës së qeverisë së tij ndaj këtij trafiku, si dhe ndaj dyshimeve të besueshme për lidhje të policisë dhe drejtuesve të qeverisë me këto trafiqe.

Duke luftuar kanabisin dhe drogën në Shqipëri, Kryeministri mund të zbehë kriminalitetin shqiptar në Hollandë, Britani e kudo në Europë. Por në vend të kësaj qasjeje, ai ka zgjedhur propagandën boshe se “po bën shtet”, “po bashkëqeveris me qytetarët”,  dhe se “BE ka ndaluar në bllok anëtarësim e Ballkanit”.

Akoma më keq ai po mundohet të zgjojë ndjenja nacionaliste dhe anti-europiane tek shqiptarët duke i bombarduar ata me deklarata që akuzojnë BE-në si paragjykuese apo raciste ndaj Shqipërisë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>