Rama në gjurmët e Erdoganit—luftë kundër “shpifjeve” dhe gazetarëve

Rama në gjurmët e Erdoganit—luftë kundër “shpifjeve” dhe gazetarëve

Kryeministri Rama ka ngritur një grup ekspertësh në PS që do të ndjekë çdo rast shpifjeje të opozitës e gazetarëve ndaj deputetëve socialistë. Për këtë arsye, gjatë mbledhjes së fundit të grupit parlamentar, Rama i porositi deputetët që të mbajnë shënim dhe të denoncojnë në prokurori, njësoj siç ka vepruar Taulant Balla, çdo deputet demokrat që shpif ndaj tyre.

Si në jo pak raste, duket se edhe kësaj radhë Rama është frymëzuar nga miku i tij, presidenti turk Erdogan, që ka një ekip avokatësh që regjistrojnë dhe denoncojnë çdo fjalë e akuza që thonë ata pak politikanë opozitarë e gazetarë që kanë mbetur të pa burgosur nga regjimi diktatorial i Erdoganit.

Rasti më i bujshëm ditët e fundit është ai mes Erdogan dhe kreut të partisë kryesore opozitare CHP Kemal Kılıçdaroğlu.

Presidenti Erdogan, përmes ekipit të tij të ekspertëve, ka paditur për fyerje ndaj presidentit 29 herë Kemal Kılıçdaroğlun. 12 prej çështjeve janë gjykuar nga gjykata turke, e cila e ka dënuar kreun e opozitës me një gjobë prej 870 mijë lirash, rreth 155 mijë dollarë.

Në një prej gjyqeve në mbajtur në qershor, gjykata e Stambollit e dënoi Kılıçdaroğlun me 25 mijë dollar pasi ky i fundit akuzoi Erdoganin dhe të afërmit e tij se kanë llogari bankare të depozituara në ishullin Man,  një territor i vetëqeverisur, nën kurorën britanike, i cili ndodhet në Detin e Irlandës.

Për të paguar këto gjoba, Kemal Kılıçdaroğlu ka shitur ditët e fundit, shtëpinë e tij të verës në një prej qyteteve bregdetare të Turqisë.

Fyerjet dhe shpifjet ndaj presidentit, në Turqi dënohen penalisht, dhe deri më tani avokatët e presidentit Erdogan kanë ngritur 1800 padi ndaj përfaqësuesve të opozitës, gazetarëve opozitarë dhe çdo kujt që ka ngritur zërin publiksht për të denoncuar diktaturën e Erdoganit. Me kontrollin e plotë që Erdogan ka ndaj gjykatave turke nuk është shumë e vështirë të merret me mend se cili do të jetë fati i këtyrë padive.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>