Kryeministri Rama: Nga “shqiptarët dembelë duan punë në shtet” në “hajde punoni në shtet”

Kryeministri Rama: Nga “shqiptarët dembelë duan punë në shtet” në “hajde punoni në shtet”

Në pesë vite qeverisje, Kryeministri Rama ka përdorur justifikime nga më të ndryshmet për për papunësinë e lartë në vend dhe mosmbajtjen e premtimit për të hapur 300 mijë vende të reja pune. Fillimisht, nën presion për të mbajtur premetimet e dhëna në fushatë, Edi Rama justifikohej duke etiketuar shqiptarët si dembelë, të paaftë, parazitë, dhe duke theksuar se ata duan të punojnë vetëm në shtet por jo në sektorin privat. Në asnjë moment gjatë 5 viteve, Kryeministri Rama nuk e ka parë rritjen e papunësisë si problem të qeverisjes dhe politikave të tij ekonomike.

Në vitin 2015, justifikimi i Ramës ishte fakti se shqiptarët ishin dembelë, rrinin me orë të tëra në kafene dhe nuk kërkonin punë.

3 nëntor 2015:

“Këtu puna konsiderohet një Babagjysh i Vitit të Ri, që duhet të vijë në shtëpi, duhet të trokasi, duhet të vijë te krevati, duhet të thotë: zgjohu se erdha, hajde ikim bashkë tashti, të të tregoj se ku jam! Dhe ti t’i thuash: Ik ti përpara, se unë do zbres poshtë, do pi kafe edhe do shof në Facebook se çfarë ka bërë qeveria dje.”

7 dhjetor 2015:

“Burrat janë përgjithësisht dembelë dhe parazitë, kurse gratë janë përgjithësisht punëtore dhë të afta për të kompensuar parazitizmin e burrave të tyre.”

Gjatë vitit 2016, Kryeministri Rama shprehej se vende pune ishin krijuar por shqiptarët nuk ishin të kualifikuar mjaftueshëm për të përfituar nga mundësitë e reja, megjithëse nuk kishte asnjë tregues apo studim që të vërtetonte këtë hipotezë.

10 shkurt 2016:

“Vende pune ka, nevoja për punë ka, por nuk ka profesionistë e zanatçinj.”

28 prill 2016:

“Shqipëria ka punë, por kërkohen punonjës të kualifikuar. Problemi është mungesa e njerëzve të kualifikuar.”

Në vitin 2017 e 2018, Rama fajësonte shqiptarët se kërkojnë të punojnë vetëm në shtet e jo në sektorin privat ku vende të lira ekzistonin.

Nëntor 2017:

“Nuk ekziston një shqiptar i vetëm që t’i bëjë naze punës më të rëndë jashtë.  Këtu, një në dy shqiptarë duan të punojnë, por në shtet, me orë të tëra të lira për t’u marrë me punën tjetër të rëndësishme që janë llafet.”

Mars 2018:

“Ajo që më shqetëson më shumë është fakti se dua të ma bësh gruan pastruese. Dakord që nesër në privat. Ah jo! Atëherë ku ndryshon fshesa e shtetit nga fshesa e privatit? Fshesën e privatit duhet ta tundësh. Fshesën e shtetit mund ta lësh në cep dhe të pish kafe.”

Por sot, ai ka ndryshuar tërësisht tezën e propagandës së tij. Nën presionin e protestës së studentëve që po përshkallëzohet me ngujim, akuzave të tyre për një treg pune me mundësi minimale dhe dëshirës për t’u larguar nga vendi, që prej dy ditësh, Kryeministri Rama ka garantuar punë për studentët në institucionet shtetërore, biles duke anashkaluar komplet konkurset e hyrjes.

Sot gjatë prezantimit të një platforme për punësimin e studentëve në administratën publike, Rama u shpreh:

“Që të gjithëve, partnerëve, partisë e kujtdo që është mësuar me të vjetrën u them, nuk kemi ca të bëjmë, prioritetin e kanë këta që janë këtu dhe ky prioritet garantohet në mënyrë mekanike e transparente nuk ka nevojë për konkurs, atë e ka bërë jeta akademike me rezultatet e secilit. Ai që ka rezultatin më të lartë ka të drejtën i pari të zgjedhë. kjo është shumë e thjeshtë. Nuk ka më, si e ke emrin, i kujt je, kush është partia, kushëriri.”

Siç ka ndodhur dhe më parë, i zënë ngushtë nga situatat e vështira të krijuara nga vendimet e tij, Edi Rama po hedh poshtë deklaratat dhe qëndrimet e tij të mëparshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>