Në monologun e tij të javës, Kryeministri Rama sulmoi disa deputetë evropianë që kanë kritikuar qeverinë e tij për drogën, krimin, korrupsionin dhe mungesën e përparimit në reformën në drejtësi.
Kryeministri u shpreh se ata janë zëra të shkëputur që kanë ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë për hir të interesave të tyre vetjake politike.
Ndërkohë, Kryeministri është shprehur i bindur se këta zëra janë të parëndësisëhm, pasi vendimin e për hapjen e negociatave e marrin krerët e qeverive dhe jo parlamentarët e vendeve të BE-së.
Edhe pse Kryeminsitri u referohet “deputetëve në Austri, Gjermani dhe Hollandë”, duket se mesazhi i tij drejtohet kryesisht ndaj parlamentarit gjerman Gunther Krichbaum, Kryetar i Komitetit të Çështjeve të BE-së në Bundestag.
Para dy ditësh, Krichbaum erdhi në Tiranë dhe i bëri të ditur Kryeministrit Rama mendimin e shumicës parlamentare gjermane kundër hapjes së negociatave me BE-në, duke parashtruar shtatë kushte për të marrë pëlqimin gjerman për hapjen e tyre.
Por ndryshe nga pretendimet e Kryeministrit në monologun e tij, Bundestagu, Komiteti i tij për Çështjet e BE-së dhe vetë kreu i komitetit Krichbaum kanë pushtet dhe ndikim në vendim-marrjen e Kancelares Merkel, e cila është e detyruar nga kushtetuta gjermane dhe ligjet e tjera të informojë Bunestagun dhe të marrë paraprakisht dhe të konsiderojë opinionin e Bundestagut.
Ligji për Bashkëpunimin mes Qeverisë Federale dhe Bundestagut Gjerman për Çështjet që Lidhen me Bashkimin Evropian i 4 Korrikut 2013, në Nenin e Parë, të titulluar Pjesëmarja e Bundestagut, sanksionon se:
Bundestagu duhet të marrë pjesë në procesin e vendim-marrjes së Federatës për çështjet që lidhen me Bashkimin Evropian dhe ka të drejtë të deklarojë pozicionin e tij. Qeveria Federale duhet të njoftojë Bundestagun për këto lloj çështjesh në mënyrë tërësore dhe sa më herët që të jetë e mundur.
Pika 2 e këtij ligji përcakton disa nga çështjet kryesore që konsiderohen të lidhura me BE-në, duke ju referuar përcaktimeve të Nenit 23 të Ligjit Bazë të Gjermanisë (siç njihet zyrtarisht kushtetuta gjermane), i cili përcakton se Qeveria Federale duhet të marrë parasysh qëndrimin e Bundestagut në çdo lloj negociate në kuadrin e BE-së. (Neni 23 i kushtetutës sanksionon, gjithashtu, detyrimin e Qeverisë Federale për informimin e Bundestagut për të gjitha çështjet që lidhen me BE-në.)
Neni Dy i ligjit përcakton krijimin e Komitetit për Çështjet e BE-së në Bundestag dhe i njeh këtij komiteti të drejtën të ofrojë, me autorizim, opinione në emër të Bundestagut, si dhe të drejtën të ushtrojë, me autorizim, kompetencat që ligji i jep Bundestagut për çështjet që lidhen me BE-në.
Në Nenin 3, të titulluar Parimet e Njoftimit, në pikën 1.1 thuhet në mënyrë specifike se Qeveria Federale ka për detyrë të informojë paraprakisht Bundestagun për çështjet që lidhen me propozimet apo nismat për hapjen e negociatave për pranim në Bashkimin Evropian.
Kjo do të thotë se qeveria gjermane e ka informuar Bundestagun dhe ka marrë paraprakisht mendimin e tij në lidhje me vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Kjo do të thotë se Krichbaum, si Kryetar i Komitetit për Çështjet e BE-së në Bundestag, ka jo vetëm të drejtë të flasë në emër të Bundestagut, por edhe të japë opinione që qeveria Federale duhet t’i marrë në konsideratë në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Kjo do të thotë se, pas Kancelares Merkel, Kirchbaum është njeriu më i rëndësishëm për vendimin gjerman në lidhje me negociatat me Shqipërinë.
Kjo do të thotë seKryeministri Rama ka ngatërruar Krichbaumin me deputetët e tij, të cilët nuk kanë asnjë fuqi para pushtetit kryeministror.