Edi Rama, ose “dëshmitari tjetër”, siç palët ndërgjyqësore ishin mësuar ta quanin, nuk do të dëshmojë në gjykatë. Duke cituar Kodin e Procedurës Penale, në nenin 357, gjyqtari Arben Micko e konsideroi si të panevojshme dëshminë e kryeministrit.
Vendimi i papritur u mor dje në një sallë të vogël në Gjykatën Penale të Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Të akuzuarit, tetë studentë, pjesë e “Lëvizjes për Universitetin” përballen me dy akuza: “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ngjarja ka ndodhur në dy nëntor të vitit 2015, ku studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale, kundërshtarë të politikave qeveritare në arsim, zgjodhën një formë të veçantë proteste ndaj kryeministrit që po zhvillonte një takim propagandistik në këto ambiente: goditjen me vezë. Ndodhi që veza e ndoti kostumin e udhëheqësit dhe çështja përfundoi në gjykatë…
Mes dëshmitarëve të thirrur, pala e paditur depozitoi një kërkesë mbi praninë e kryeministrit për të dëshmuar, e cila, sipas tyre, do të kishte një rëndësi të veçantë, pasi ai konsiderohej edhe si i dëmtuari i pretenduar. Vetë gjyqtari e kishte miratuar kërkesën për thirrjen e të ashtuquajturit “dëshmitari tjetër”, një term, që palët e përdorën për të nënkuptuar kryeministrin Rama.
Në më shumë se një vit, numri i seancave të zhvilluara, në të ashtuquajturin “Gjyqi i vezëve”, kishte mbërritur në dymbëdhjetë. Dëshmitarët e thirrur, më së shumti oficerë policie e gardistë, rrëfyen rrethanat në të cilat u zhvilluan ngjarjet. Një pjesë e dëshmive ishin kundërthënëse dhe për disa, gjykatësi urdhëroi shoqërimin e detyrueshëm për shkak se nuk iu përgjigjën thirrjes për të dëshmuar.
Por tani, që dëshmive u erdhi fundi dhe me interes jo të pakët pritej ardhja e “dëshmitarit tjetër” dhe pasi studentët e rikonfirmuan kërkesën, gjyqtari Arben Micko, e vlerësoi dëshminë e kryeministrit si të panevojshme, duke revokuar në fakt, të njëjtin vendim të tijin që kishte marrë disa kohë më parë: praninë e kryeministrit Rama për të dëshmuar në sallë!
Të njëjtin qëndrim aprovues mbajti edhe prokurori i çështjes z. Julian Zonja, pasi, në gjykimin e tij, kjo prezencë nuk sillte fakte të reja.
“Kjo ishte një kërkesë e vetë studentëve të pandehur, thotë avokati i çështjes Dorian Matlija. Një kërkesë e arsyetuar për të cilën vetë gjyqtari ra dakort. Por çuditërisht, sot e rrëzoi pa asnjë arsyetim!”
Natyrisht, në përfundim të çështjes, pas dhënies së vendimit, pala e paditur rezervon të drejtën e apelimit të këtij vendimi.
“Kjo mbetet për t’u parë, në varësi të vlerësimit të mëtejshëm, thotë avokati Matlija. Sepse ka një moment të pazbardhur të komunikimit verbal, të shkëmbyer mes studentëve dhe kryeministrit, disa sekonda përpara lëshimit të vezëve”.
Sipas provave të administruara, bëhet fjalë për vetëm dy vezë, ndërkohë që të akuzuarit për “goditjen” janë tre. Të gjithë të tjerët, gjithsej tetë, akuzohen edhe për kundërshtim të forcave të policisë.
Pas këtij vendimi, reagimet e Bora Memës dhe të Viktori Çipit, studenteve të vetme të pranishme gjatë seancës së 13 shkurtit, me ç’duket, u konsideruan të pazakonta nga gjyqtari Micko, që u kujtoi të pranishmëve se mund të ushtronte të drejtën për t’i larguar nga salla.
Seanca tjetër u la në 27 shkurt, në orën 13:30 ku pas shqyrtimit dhe analizimit të fakteve priten të jepen konkluzionet e prokurorisë.