Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë idenë që në Shqipëri do të ndërtohen kampe për të pritur refugjatët e kthyer nga vendet e BE-së.
Në një intervistë dhënë sot për gazetën gjermane BILD, Zoti Rama u shpreh:
“Ne kurrë nuk do të pranojmë [të ndërtojmë] kampe të tillë refugjatësh. Sepse kjo do të thotë të depozitozh diku njerëz të dëshpëruar si mbeturina toksike që askush nuk i dëshiron.”
Kryeministri tha se Shqipëria do të jetë gjithnjë e gatshme të bëjë pjesën e saj për sa i përket familjes evropiane, por kjo nuk do të thotë se Shqipëria do të pranojë të mbajë barrën e të gjithë BE-së.
Më tej, Rama tha se nuk kishte menduar asnjëherë që të bënte një akt heroik të tillë si ngritja e kampeve të refugjatëve, vetëm për të marrë aprovimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave.
“Edhe në këmbim për t’u bashkuar me BE-në, ne nuk do të ngremë qendra të tilla refugjatësh. Kriza e refugjatëve duhet të trajtohet pavarësisht nga gjendja aktuale e përpjekjeve tona për pranim.”
Më herët dhe Libia, një tjetër vend i përfolur si vatër për të ndërtuar kampet që do të presin refugjatët që do të dëbohen nga Evropa, refuzoi të ofrojë këtë lloj ndihme për vendet e BE-së.
Një plan konkret për të përballuar krizën e refugjatëve në vendet e BE-së pritet të diskutohet në samitin e Këshillit Evropian që do të mblidhet më 28-29 qershor.