Kryeministri rus Mikhail Mishustin deklaroi të enjten se ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe për këtë arsye i duhet të tërhiqet përkohësisht nga detyra.
Në një video-konferencë me Presidentin Vladimir Putin, Mishustin u shpreh se për shkak të infeksionit do t’i duhet të izolohet dhe të ndjekë këshillat e mjekëve, të cilët do ta mbajnë nën vëzhgim.
Mishustin propozoi emrin e zëvendëskryeministrit të parë, Andrei Belousov, për të drejtuar përkohësisht qeverinë, propozim që u miratua nga Putini.
Ai shtoi se do të vazhdojë të japë kontributin e tij përmes videotelefonatave.
Mikhail Mishustin, 54-vjeç, nuk shfaqi shenja të sëmundjes në videkonferencë, por tha se më vonë do të shkonte në spital.
Rusia ka raportuar deri më sot mbi 106 mijë të infektuar me Covid-19, prej të cilëve ka pasur vetëm rreth 1 mijë vdekje, një vdekshmëri tejet e ulët në raport me popullsinë prej rreth 145 milionë banorësh.