“Do transformojmë luginën e Vjosës në një park kombëtar që të frenohet barbarizimi nga hidrocentrale dhe të zhvillohet turizmi, ekonomia, bujqësia, të fuqizohet ekonomia familjare duke rritur numrin e vizitorëve në këtë park të madh të Vjosës.”
Ky ka qenë premtimi i Kryeministrit Rama gjatë një mitingu elektoral në Tepelenë, në qershor 2015, teksa kërkonte votën e qytetarëve për kandidatët bashkiakë socialistë.
Votat i mori, por premtimin e shkeli shumë shpejt, vetëm një muaj më vonë.
Më 29 korrik 2015, Këshilli i Ministrave miratoi pranimin e një kërkese të pakërkuar nga një firmë turke dhe ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë për organizimin e garës për ndërtimin me koncesion të hidrocentralit të Poçemit mbi Vjosë.
Vendimi ngjalli pakënaqësi të menjëhershme dhe reagime të shumta në publik. Ndoshta ky reagim e detyroi qeverinë të shtyjë hapjen e garës, duke dhënë përshtypjen se ajo mund të tërhiqej nga projekti.
Pavarsisht vonesës, në fund Zoti Rama dhe qeveria kanë vendosur t’i shpërfillin kundërshtimet publike. Në fillim të shkurtit, Agjencia e Prokurimit Publik shpalli garën për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit me konçesion 35 vjeçar.
Ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Vjosë është një nga çështjet më të kundërshtuara publike në vend, për shkak të vlerave natyrore të rralla të luginës së Vjosës dhe vlerave historike në shumë zona përgjatë saj.
Vetë Zoti Rama kur ishte në opozitë ka qenë ndër kundërshtarët më të ashpër të hidrocentraleve mbi Vjosë.
Komisioni Europian ka shprehur, gjithashtu, kundërshtinë e tij për të. Në Raportin e Progresit 2014, Komisioni i kërkoi qeverisë të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë, pasi ato do të dëmtonin një prej ekosistemeve të fundit të paprekur dhe natyrorë të mbetur në Europë.
Kundër kanë qenë edhe organizata të ndryshme mjedisore, vendase e të huaja, të cilat kanë shpjeguar se hidrocentralet mbi Vjosë do të ndikojnë negativisht në habitatet natyrore, në tërësinë e mjedisit ujor të lumit Vjosë dhe do t’i shtojë barrën e dëmshme basenit të këtij lumi.
Duket që Zoti Rama dhe qeveria e tij kanë vendosur të shpërfillin opinionin publik dhe të ekspertëve dhe në mënyrë arbitrare të fillojnë projektet që do të shkatërrojnë një pasuri të madhe natyrore kombëtare.
Projekti është nisur me kërkesën e pakërkuar të një kompanie të vogël turke, Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Şirketi, e cila ka përvojë vetëm në gërmime dheu dhe transport inertesh. Kompania në pronësi familjare dhe kapacitete modeste, nuk ka asnjë përvojë në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të hidrocentraleve, madje as të energjisë në përgjithësi. Kompania do të hyjë në garë me një bonus prej 8 për qind të pikëve, dhënë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndërsa dëmet e shkatërrimit të luginës së Vjosës janë të dukshme, është e vështirë të mendohet se cilat janë përfitimet e këtij projekti. Aq më tepër kur, me shumë, gjasa energjia që do të prodhohet prej tij mund të mos jetë e destinuar fare për tregun vendas dhe përfitimet në taksa nga hidrocentrali do të jenë praktikisht inekzistente për dhjetra vite.
Në fakt, përfitimet dhe kostot sociale, mjedisore dhe ekonomike të projektit duhet të ishin analizuar në studimin e bëshmërisë së tij. Por ky studim, nëse është bërë ndonjëherë, nuk është bërë publik, sikurse nuk nuk janë bërë publike të dhënat dhe specifikat e tjera të projektit.
Nga ana tjetër, qeveria nuk ka zhvilluar asnjë konsultim me banorët dhe grupet e interesit, siç kërkohet nga ligji.
Praktikisht, çdo gjë rreth projektit është bërë nga qeveria në mënyrë jotransparente dhe arbitrare.