Kryepeshkopi Anastas uron Pashkët për besimtarët ortodoksë

Nga Exit News
Kryepeshkopi Anastas uron Pashkët për besimtarët ortodoksë

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos ka uruar Pashkët për të gjithë besimtarët ortodoksë me anë të një mesazhi që ka në qendër çlirimin nga urrejtja dhe variantet e saj.

Kremtimi i Pashkëve shënon ngjalljen e Krishtit e cila “shpall një fitore shumë të rëndësishme mbi vdekjen”, thuhet në mesazhin e Kryepeshkopit.

Në mesazhin e tij, Imzot Anastasi nuk ka lënë pa përmendur edhe rrethanat e shkaktuara nga pandemia në të cilat mbahen këto Pashkë.

“Edhe sot, në atmosferën e turbullt të krijuar nga pandemia, nëpër mjedise të ndryshme shfaqet shpesh një urrejtje e veçantë në shumë variante, që nga simptomat e thjeshta, si nervozizmi, antipatitë, agresiviteti e deri tek ato më seriozet, si polarizimet, dhuna dhe përçarjet. Vaksinën e efektshme për të përballuar urrejtjen dhe format e saj na e zbuloi Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur: vaksina është ofrimi i faljes me vullnet të plotë”.

Kryepeshkopi Anastas nënvizon në urimin e tij se nuk mjafton të çlirohemi personalisht nga urrejtja por se “është detyrimi ynë që të kontribuojmë vazhdimisht për zbutjen e tensioneve rreth nesh, për çtensionimin e polarizimeve, të konflikteve dhe të varianteve të shumëllojta të urrejtjes.”

“Duke u frymëzuar dhe duke marrë fuqi nga e kremtja e tërëndritshme e Pashkës, që mbi të gjitha është e kremtja e pajtimit universal, le të përpiqemi të paqësohemi personalisht, duke falur madje edhe ata që na urrejnë, edhe nëse kjo na duket e vështirë”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e kreut të Kishës Autoqefale Shqiptare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>