Kryesia e Partisë Demokratike ka përfunduar pas më shumë se dy orësh mbledhjen e fundit para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të shtunën.
Kryesia ka miratuar konkluzionet për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ku janë identifikuar edhe qarqet që kanë arritur ose jo objektivat në zgjedhje.
Janë miratuar gjithashtu propozimet e kryetarit të partisë Lulzim Basha për ndryshime në statutin e partisë.
Në përfundim të mbledhjes, Fatbardh Kadilli u shpreh në media se propozimet e tij ishin diskutuar por se nuk ishin miratuar në fund.
“Ndryshimet e propozuara nga unë, përgjithësisht u gjykuan të parakohshme, por me shumë nga anëtarët dhe kryetari, që ndajmë koncepte të ndryshme për ndarjen e rolit të udhëheqësit të partisë”, tha Kadilli.
Kryesia miratoi edhe ngritjen e Komisioneve të Votimit dhe Numërimit për zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Kombëtar ndërsa Basha ka prezantuar listën me kandidatët për anëtar të Këshillit Kombëtar.
Më 17 korrik, PD do të mbledhë Kuvendin Kombëtar ku do të zgjidhet Këshilli i ri kombëtar dhe do të miratohet statuti i ri.