Gent Ibrahimi, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në një intervistë për gazetaren Klodiana Lala tha se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) mund të ngrihet brenda 2-3 javevë të ardhshme. Ai tha se nga lista e 15 kandidatëve të përzgjedhur nga KLP:
“10 kandidatë për SPAK janë drejt finalizimit, 5 e kanë finalizuar garën, 5 të tjerë janë në një fazë të avancuar kështu që unë mendoj që për momentin ne do të jemi ende në pritje për 2-3 javë.
Në pritje të ecurisë së procesit të vettingut kur një grup prej 7-8-9-10 kandidatësh nga ky grup prej 15 kandidatësh të përzgjedhur prej nesh ta kalojnë vettingun, besoj që Këshilli do të mblidhet posaçërisht për të vendosur krijimin e Prokurorisë së Posaçme”.
Kryetari i KLP-së tha se pavarësisht se 5 prej 15 kandidatëve të kualifikuar për SPAK kanë kaluar të dyja shkallët e vetingut dhe mund të emërohen në çdo moment, ky numër është i vogël dhe nuk mund të përballojë fluksin e punës së SPAK.
Megjithatë, Ibrahimi u shpreh se KLP do të marrë vendimin mbi numrin e nevojshëm për funksionimin e SPAK bazuar “në ngarkesën aktuale të prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhe ngarkesën e pritshme të prokurorëve të SPAK”.
“[D]o të bëjmë një llogari të bazuar në shifra, për të dalë me një vendim se cili do të jetë numri optimal për ta nisur SPAK-un. Padyshim që pastaj që në muajt në vijim e në vitet në vijim, struktura do të plotësohet me prokurorë të tjerë por vendimi për fillimin do t’i mbetet Këshillit, bazuar në këto të dhëna që ne disponojmë” — u shpreh Kryetari i KLP-së.