Kryetari i opozitës ruse Alexei Navalny ka rënë në koma pasi dyshohet se është helmuar, deklaroi zëdhënësi i tij i shtypit, të enjten.
Në një sërë postimesh në Twitter, Kira Yarmish tha se Navalny u sëmur në një udhëtim nga Moska në Tomsk, duke e detyruar pilotin që të bëjë ulje emergjencenë Omsk.
“Alexei është në frymëmarrje të drejtuar. Ai është në koma, në gjendje të rëndë. Ne dyshojmë se ai është helmuar me diçka në çaj”, tha zëdhënësja e shtypit.
Kjo nuk është hera e parë që Alexei, një kundërshar i fortë i Putinit, helmohet.
Vitin e kaluar, avokati dhe doktori i tij deklaruan se Alexei ishte helmuar nga një agjent kimik i paidentifikuar. Në atë kohë ata thanë se ai kishte pësuar atak alergjik gjatë kohës që kishte qenë i arrestuar.
Doktoresha e tij Anastasia Vasilyeva, tha se doktorët në Omsk nuk kanë pranuar të flasin me të, dhe sërish kanë thënë se ai ka pasur një atak alergjik.
Ministri i jashtëm i Lituanisë Linas Linkevicius tha se ka pasur “raportime shumë shqetësuese për helmimin toksik të liderit të opozitës ruse. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”.
Muajin e kaluar, pasi Rusia miratoi ndryshimet kushtetuese që i japin mundësinë presidentit Putin të garojë edhe dy herë të tjera, Navalny e quajti votimin “të pavlefshëm” dhe të “paligjshëm”, dhe i bëri thirrje mbështetësve të tij të dalin në rrugë në shtator.