Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami takoi sot kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Pamela Qirko dhe kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla.
Qëllimi i takimit ishte përshpejtimi i procesit të vetingut për kandidatët nga gjyqësori për në Gjykatën e Lartë.
Në një njoftim në faqen zyrtare, KLGJ shkruan:
” Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, ftoi në një takim koordinues kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Znj. Pamela Qirko dhe kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Znj. Albana Shtylla, me qëllim përshpejtimin e procesit të rivlerësimit, të kandidaturave nga sistemi gjyqësor, për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë përveçse është prioritet për Këshillin e Lartë Gjyqësor, kërkon edhe një bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha organeve kushtetuese të cilat garantojnë funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi. Për këtë arsye, roli i organeve të vetingut është i rëndësishëm me qëllim rritjen e mundësisë së zgjedhjes nga ana e KLGJ-së së kandidaturave më me integritet, profesionalizëm dhe besueshmëri për të shërbyer pranë kësaj Gjykate.”