Gazeta e rëndësishme gjermane Frankfurt Allgemeine Zeitung ka botuar dje një artikull të gazetarit Karl-Peter Schwarz rreth zhvillimeve politike në Shqipëri, përfshi zbatimin e reformës në drejtësi.
Artikulli, ndër të tjera, shprehet se një nga elementët kryesorë të reformës në drejtësi është vetingu i gjykatësve dhe prokurorëve i cili do të kryhet nga një komision me 27 anëtarë. Veprimtaria e komisionit do të mbikqyret nga një ekip vëzhguesish ndërkombëtarë, të cilët duhet të garantojnë që vetingu nuk do të përdoret politikisht.
Sipas gazetës, kjo gjë kërkon që përfaqësusit e BE-së, të cilët koordinojnë vëzhguesit ndërkombëtarë, duhet të jenë të besueshëm dhe të paanshëm, por ky lloj besimi është dëmtuar nga Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin. Në lidhje me të, artikulli shprehet se:
Ambasadorja e BE, kroatja Romana Vllahutin, është përballuar me një çështje korrupsioni, bërë publike nga mediat shqiptare, në lidhje me një vilë luksoze prej 600 metra katror që Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së bleu si rezidencë për ambasadoren. Vila, në kompleksin ekskluziv Rolling Hills, u ble për 1,65 milion euro, çmim dy herë më i lartë se çmimi i tegut në të njejtin kompleks.
Ingeborg Grassle (CDU), Kryetare e Komisionit të Parlamentit Europian për Kontrollin e Buxhetit, është duke hetuar procedurat e blerjes së vilës. Ajo u shpreh se rasti në fjalë e ka dëmtuar rëndë imazhin e BE-së.
Opozita shqiptare dyshon se Ambasadorja Vlahutin, ish-punonjëse e Presidentit socialist të Kroacisë Ivo Josipovic punon në favor të kryeministrit socialist Edi Rama për ta drejtuar reformën në drejtësi në favor të tij.