Ksamil — Kush është përgjegjësi?

Ksamil — Kush është përgjegjësi?

Pak orë pasi plazhi dhe deti i Ksamilit u mbuluan nga ujërat e zeza, filloi shmangia e përgjegjësisë nga vetja dhe fajësimi i të tjerëve për shpërthimin e kanalizmeve.

një postim në Facebook, deputeti i sapozgjedhur i PS-së Alket Hyseni i bëri thirrje për veprim të menjëhershëm Bashkisë Sarandë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve për hetimin e përgjegjësve. Por, përgjegjësitë ndoshta nuk janë ato që Hyseni mendon.

Bashkia e Sarandës njoftoi se i gjithë projekti për rindërtimin e infrastrukturës së ujësjellës kanalizime në Ksamil ishte tenderuar, zbatuar dhe monitoruar nga Bashkimi Evropian.

Ngjarja e ditës së mërkurë mendohet se ishte si rrjedhojë e mos përfundimit të punimeve apo si pasijë e mos kryerjes së saktë të tyre.

Në vitin 2010, autoriteti kontraktues i cilësuar si “Bashkimi Evropian i përfaqësuar nga Komisioni Evropian, ky i fundit i përfaqësuar për procedurat e këtij tenderi nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, për dhe në emër të qeverisë shqiptare,” afishoi një “Njoftim për Prokurim” për “Projektimin dhe hartimin e dokumentave të tenderit për sistemin e kanalizimit të ujërave të zeza për Vlorën dhe Ksamilin dhe Monitorimin e Punimeve për Vlorën, Ksamilin, Kavajën, Lezhë/Shëngjin” me fondin limit prej 1,8 milionë euro.

Tenderi u fitua nga kompania italiane IRD Engineering, e cila ishte përgjegjëse edhe për monitorimin e “ndërtimit të sistemit të ujërave të zeza në Ksamil,” fakt i bërë publik në faqen zyrtare të kompanisë.

Në vitin 2011, BE njoftoi një tender tjetër, kësaj herë për ndërtimin e sistemit të kanalizmeve të ujërave të zeza. Loti 1 i tenderit ishte për “ndërtimin e kanalizimeve të ujrave të zeza në Vlorë dhe Ksamil”. Sipas njoftimit të fituesit më 26 qershor 2012, kontrata me vlerë rreth 14 milionë euro u fitua nga një kompani italiane Friulana Bitumi Srl së bashku me Atzwanger Spa. Afati i përfundimit të projektit ishte 2 vjet. Por, në të vërtet punimet përfunduan më 31 janar 2017, tre vjet më vonë nga parashikimet.

Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, pasardhësja e ish-ambasadorit Ettore Sequi, nën autoritetin e të cilit u firmosën kontrata me dy kompanitë italiane, inspektoi punimet e disa projekteve infrastrukturore të financuara nga BE-ja, përfshirë edhe sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza të Vlorës, e cila ishte pjesë e të njëjtës kontartë të fituar nga Friulana Bitumi dhe e supervizuar dhe e projektuar nga IRD Engineering.

Ambasadorja Vlahutin kërkoi siguri që punimet të përfundonin përpara verës. Ambasadorja Vlahutin nuk inspektoi punimet në Ksamil.

Dy javë më parë, media raportoi ankesat e banorëve të Ksamilit për erën e keqe që vinte nga pusetat e kanalizimeve në rrugë.

Drejtori i Ujësjellësit Sheme Luloi tha se vetë banorët ishin fajtorët sepse ato kanë lidhur tuba të paligjshëm të kullimit me rrjetin kryesor.

Por nëse i gjithë sistemi i kanalizimeve është rregulluar me miliona euro të taksapaguesve evropian, si është e mundur që të vazhdojnë të ekzistojnë këto lidhje të paligjshme?

I njëjti raport deklaron se në afërsi të vendit ku shpërthyen tubat, projekti i BE-së sapo kishte përfunduar, përfshirë edhe 5 stacionet e reja të pompave të lidhura me sistemin e ujrave të zeza. Por, “projekti nuk ishte pranuar nga Bashkia Sarandë”.

Për ta përmbledhur: që në vitin 2012, BE ka shpenzuar miliona euro të taksapaguesve evropian për të ndërtuar një sistem të ujërave të zeza në Ksamil, i cili përfundoi tre vjet më vonë. Në çastin e përfundimit, bashkia nuk e pranoi projektin (nuk e pranoi sepse nuk donte të ishte përgjegjëse për të), duke e lënë projektin praktikisht në duar të BE-së. Dy javë më vonë, një nga tubat shpëtheu, duke shkaktuar përmbytje të zonës dhe dëme ekonomike për Ksamilin.

Exit.al u përpoq në vazhdimësi të lidhej me delegacionin e BE-së në Tiranë dhe kompaninë supervizore IRD Engineering për të komentuar mbi ngjarjen. Por, deri më tani askush nuk është përgjigjur.

Qeveria shqiptare dhe Delegacioni i BE-së vazhdojnë të heshtin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>