Raporti i qeverisë me median në situatën e tërmeteve ka ngjallur shqetësim nga Këshilli Shqiptar i Mediave (KSHM), i cili i ka bërë thirrje Kryeministrit Rama të mos kopjojë Erdoganin, i cili shfrytëzoi rastin e pas-grushtit të shtetit për të sulmuar dhe arrestuar gazetarët.
Në një deklaratë për shtyp, KSHM ka renditur disa raste ku qeveria, në shkelje të ligjit, ka cënuar mediat pas tërmetit të 26 nëntorit:
- Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i kërkoi portaleve: “urgjentisht publikimin e informacioneve të caktuara nga Ministria e Mbrojtjes” si “detyrim nga Ligji 45/2019 “Për mbrojtjen civile”.
- Qytetarja (Xhuljana Aliaj) arrestohet sepse ripostoi disa lajme në rrjetet sociale
- Një editorial i Gazetës Dita në Facebook u bllokua.
- Aksesi në portalin JOQ Albania u bllokua.
- Bllokim informacioni dhe zëvendësim me propagandë
Këshilli i Medias, i kërkoi urgjentisht qeverisë “të mos kopjojë rastin famëkeq të Erdoganit që e përdori situatën e pas-grushtit të shtetit në Turqi, për të sulmuar, arrestuar, mbyllur e goditur mediat kritike; për të mbyllur gojën opinioneve të pavarura; dhe për të instaluar diktaturën e mendimit”.
KSHM i kujton qeverisë se ajo “nuk mundet të arrestojë qytetarë vetëm se ripublikojnë lajme”, siç ishte rasti i Xhuljana Aliajt, që “ka ripublikuar një lajm nga një portal italian mbi depozitat e Porto Romanos”.
KSHM thekson se kërkesat që portalet të bëjnë publikime të caktuara janë të paligjshme, sepse ligji i referohet vetëm televizioneve dhe radiove. Sidoqoftë KSHM inkurajon portalet të botojnë të gjitha njoftimet që janë në funksion të ndihmesës së gjendjes. Këshilli thekson se mediat duhet të bëjnë çmos për të mos raportuar lajme të rreme dhe i kujton qeverisë që nuk mundet me ligjin në fjalë të urdhërojë asnjë portal që ta bëjë këtë aq më tepër përmes AKEP-it, “një agjensi që nuk ka lidhje me ligjin në fjalë”.
Për rastin e portalit JOQ Albania, KSHM thekson se qeveria nuk mund të ndalojë qytetarët e as portalet të denoncojnë keqmenaxhimin e situatës. Këshillimi kujton se mënyra e veprimit të qeverisë tregon se si mund të sillet qeveria në të ardhmen kur të kalojë ligjet e debatuara “anti-shpifje”:
“Rasti i JOQ reflekton qartë se çfarë do të ndodhë me mediat në të ardhmen nëse Qeveria kalon ligjin famëkeq të ashtuquajtur “kundër-shpifjes”. Qeveria ka të drejtën të dërgojë për ndjekje penale këdo që ka shkelur ligjet, qoftë dhe në kuadrin e gjendjhes së jashtëzakonshme, por, nuk mundet të mbyllë me anën e AKEP-it dhe instrumenteve të tjerë, pa një vendim gjyqësor, asnjë media.”