Ku do t’i gjejë fondet qeveria për të shpëtuar ekonominë?

Nga Artan P. Gjergji
Ku do t’i gjejë fondet qeveria për të shpëtuar ekonominë?

Lexova me interes një shkrim të Neritan Sejaminit me disa sugjerime për politikat që duhet të marrë qeveria në kushtet e emergjencës nga kriza e koronavirusit dhe pasojat e saj në balancat e brishta ekonomike të një vendi në zhvillim si Shqipëria.

Duke diskutuar zgjidhjet e pakta që qeveria ka në dorë, Sejamini propozon me zgjuarsi një formë direkte që është provuar efikase në ekonomi më komplekse në raste krizash: shpërndarjen e parave cash nga buxheti i shtetit direkt tek konsumatori, me qëllim vënien në funksion të mekanizmit ekonomik të bllokuar për shkak të kufizimeve që është detyruar të marrë Qeveria. Pagesat janë për ekonominë si oksigjeni për qëniet njerëzore.

Kjo politikë publike e përdorur disa herë nga qeveria federale në SHBA në raste krizash është mjaft efikase dhe jep direkt efektet në një periudhë të afat-shkurtër, kështu që Qeveria duhet ta marrë patjetër parasysh. E shoqëruar edhe me politikën e zgjuar të garancive sovrane për biznesin—jo dhurimeve— shihen si dy politika që sado në nivel minimal, do të mundësojnë një lëvizje të ngadaltë por të pandërprerë të makinës së madhe të ekonomisë në këto kohë jo normale.

Megjithatë, në një analizë kritike pyetja që ngrihet është: “Në kushtet kur biznesi është i bllokuar dhe nuk do arrijë të paguajë detyrimet fiskale të parashikuara si të ardhura në buxhet, ku do i marrë paratë qeveria për të bërë politika të tilla stimuluese?

Masat e menjëhershme

Përpara se të përpiqem të jap disa qasje modeste në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi, po shtjelloj edhe një herë disa masa të përgjithshme që duhen pasur parasysh nga Qeveria, në mënyrë që ekonomia të mos ndalojë, pavarësisht një pulsi minimalist që do jetë e detyruar të ndjekë si pasojë e virusit COVID-19.

1 Nxitja e konsumit optimal me cdo kusht. Mbajtja gjallë e një niveli sado minimal të konsumit është një element kyç për funksionimin normal të ekonomisë, sepse konsumi vë në lëvizje çdo hallkë tjetër të zinxhirit të vlerës së shtuar (biznesi, kostot, pagat, taksat etj.).

Kjo është arsyeja pse shpërndarja e një “çeku cash” për konsumatorët shikohet si mjet mjaft efikas për mbajtjen gjallë të konsumit në ekonomi. Natyrisht, ka edhe forma të tjera të politikave publike direkte që përdoren për shtresa të caktuara të shoqërisë, si p.sh. “kuponat ushqimorë”, por qëllimi është i njëjtë, pavarësisht mjetit që përdoret. Konsumi nuk duhet lejuar të vdesë.

2. Facilitimi i ofertës optimale në treg (prodhimi dhe importi). Duhet bërë e pamundura që të mos mungojnë në treg mallrat e konsumit të përditshëm. Për këtë, Qeveria duhet të bëjë të pamundurën për të lehtësuar ose së paktu për të mos penguar bizneset të ofrojnë produktet dhe shërbimet më bazike dhe më të rëndësishme në treg.

Aty ku është e mundur, eksportet duhen mbështetur pa-masë e pa-kufi, pasi sjellin valutë që është e nevojshme për të financuar importet nga jashtë. Mungesa e valutës do kufizonte importin dhe do shkaktonte mungesa në tregun e mallrave.

3. Nxitja e konsumit shqiptar dhe konsumi me zgjuarsi. Duhet që qytetarët t’i japin prioritet konsumit të produkteve bazike të prodhuara në Shqipëri. Kjo do mundësonte një vlerë të shtuar më të madhe në ekonominë e vendit (punësim, të ardhura, taksa) si dhe qarkullim më të madh të valutës brenda vendit duke zgjatur funksionimin minimalist të ekonomisë së vendit për një kohë relativisht më të gjatë.

Në anën tjetër, qytetarët duhen edukuar të kuptojnë ndikimet afatgjatë të krizës, e për rrjedhojë të moderojnë lehtshëm konsumin, ose më minimalja, të shmangin shpenzimet e panevojshme, veçanërisht ato të importit.

Burimet e mundshme të financimit

Qeveria është në pozicionin më të keq të mundshëm. Administrimi i gjendjes shëndetësore sado emergjent dhe prioritar (jeta e qytetarëve e para), është e kryqëzuar mes kufizimeve dhe kostos së lartë financiare që ato sjellin, dhe nevojës për fonde që kanë operatorët ekonomikë për të kaluar këtë krizë.

Pa dyshim, shtresa më e prekur në këtë situatë është biznesi i vogël dhe i mesëm, i cili është edhe kontribuesi kryesor i punësimit në vend, e për rrjedhojë ka ndikim direkt në të ardhurat që sigurojnë konsumin bazë të shumë familjeve shqiptare.

Ndërsa aktiviteti ekonomik bie ose ndalet për shumë biznese, pagesat tatimore gjithashtu bien ose bllokohen. Atëherë, ku do të gjenden fondet për politikat e mbështetjes direkte të propozuara nga ekonomistët? Përvoja e vendeve të tjera ka treguar që ka disa mekanizma efikasë që mund të përdoren për të nxjerrë në afatshkurtër vendin nga ky ngërç. Disa prej tyre po i shpjegoj në vijim.

1. Ristrukturim i politikës fiskale, por jo rritje taksash. Pa dashur të përsëris kolegun Sejamini, duhet patjetër të ketë ristrukturime dhe shtyrje të detyrimeve fiskale të biznesit. Kjo, sa për shkak të ruajtjes së qëndrueshmërisë së buxhetit të shtetit, aq edhe për shkak të praktikës së pashëndetshme të faljeve të disa bizneseve në kurriz të disa të tjerave që janë treguar korrekte në detyrimet fiskale.

Në anën tjetër, çdo vendim për rritje taksash apo për mbledhjen me detyrim të fondeve nga bizneset për të siguruar të ardhura për buxhetin, do të ishte gabim fatal për gjendjen në të cilën ndodhet ekonomia. Gjithashtu, do të minonte besimin e biznesit tek sektori financiar, duke nxitur evazionin fiskal dhe ekonominë gri jashtë kanaleve zyrtare.

2. Ribuxhetim të fondeve në drejtime më prioritare. Duhet menjëherë të identifikohen ato fusha, apo projekte publike të cilat mund të shtyhen të paktën për një periudhë 6-9 mujore, dhe fondet e tyre të përdoren për të “ekonomizuar” fondet e pakta në dispozicion të buxhetit, drejt konsumit.

3. Zgjerim i borxhit publik për të nxitur konsumin. Borxhi është mirë të jetë i qëndrueshëm, brenda mundësive tona për të paguar, por situata nuk është normale, ndaj qeveria duhet seriozisht të marrë në konsideratë huamarrjen atje ku ka mundësi.

Megjithatë, është e rëndësishme që borxh i ri duhet të merret vetëm në tregun e brendshëm (për arysen e administrimit të rezervave valutore) dhe duhet marrë vetëm për të nxitur konsumin me instrumenta direkt (transferta cash apo kupona ushqimorë).

4. Bashkërendim me Politikat Monetare.Çdo vendimmarrje e qeverisë duhet të përputhet me politkën monetare dhe veprimet e Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit ndjek me vëmendje dhe kujdes situatën dhe ka instrumenta (direktë apo indirektë) për rregullimin e nivelit tëcash-it në ekonomi, në varësi të nevojës së qytetetarëve dhe bizneseve për likuiditete.

Fatmirësisht sistemi financiar shqiptar është mjaft likuid dhe nevoja për cash në ekonomi nuk do ndihet për një kohë të mjaftueshme sa për të kaluar krizën e virusit COVID-19. Në sistemin bankar qytetarët kanë plot €8,12 miliardë depozita me afat. Nëse kësaj shifre i shtohen edhe llogaritë rrjedhëse të biznesit (depozita pa afat), së bashku me investimet e qytetarëve dhe bankave në bono e obligacione thesari, kuptohet se ka gjasa që ekonomia jonë të mos vuajë nga mungesa e likuiditetit.

Ndërkohë, vlerësohet se të paktën 35% e fondeve të lira në ekonomi janë në qarkullim jashtë kanaleve financiare, pra niveli i likuiditetit është më i lartë se sa treguesit bankarë. Të gjithë këta faktorë na bëjnë të mendojmë se ekonomia shqiptare ka mjaftueshëm rezerva për të administruar krizën e konsumit në afatshkurtër (deri në 12 muaj).

5. Rritje e qarkullimit të parasë në ekonominë e vendit. Duhen marrë të gjitha masat që lehtësojnë në ekonomi rritjen e qarkullimit të parasëcash dhe elektronike (e-banking, pagesa me karta). Kjo politikë do të mbante gjallë konsumin dhe do lehtësonte operatorët ekonomikë nga ngushticat e likuiditetit.

Gjithashtu, funksionimi i vetëm disa sektorëve të ekonomisë që ofrojnë mallrat dhe shërbimet bazike do të sillte një përqendrim të madh të fondeve të lira tek këta sektorë (biznese), duke deformuar procesin e qarkullimit të fondeve të lira në ekonomi.

Për këtë arsye, këto biznese duhen nxitur të investojnë së bashku me bankat në letrat me vlerë të qeverisë (bono dhe obligacione thesari), si një mënyrë që qeveria të gjenerojë mjaftueshëm të ardhura nga borxhi për të financuar kërkesën minimale të qytetarëve për mallra e shërbime.

Po aq e rëndësishme është që bankat e nivelit të dytë të nxisin me kosto minimaliste përdorimin e mjeteve të pagesës elektronike (e-banking, mobile-banking etj.).

6. Refuzim të emetimit të parasë. Historia ka treguar se qytetarëve dhe biznesit u duket se rritja e sasisë së parasë në qarkullim (“prerja” e parasë së re) e nxjerr ekonominë nga ngërçi. Por Qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk duhet të bien në këtë kurth populist, i cili përveç se krijon kosto të mëdha në ekonomi, nuk i sjell ndonjë përfitim real qytetarëve në jetën e përditshme.

Inflacioni do të gërryente forcën blerëse dhe përsëri qytetarët nuk do blinin dot mallrat dhe shërbimet e nevojshme për shkak të rritjes së çmimeve. Kjo politikë është instrumenti i fundit i mundshëm, të cilin nuk e përdorin më banakat qëndrore, me përjashtim të vendeve autokratike, ku banka qendrore nuk është e pavarur (si p.sh. në rastin e Venezuelës).

Pesha që mund të mbulojë biznesi

Përtej asaj që presim nga Qeveria si administratore e financave publike, duhet thënë se një rol të rëndësishëm duhet dhe mund të luajë vetë biznesi për zbutjen e efekteve të krizës.

1. Investim në shitjet onlinë dhe shërbimet në distancë.Eleminimi i kontaktit fizik mes njerëzve (distancimi social) ka rritur gjasat e përqafimit të blerjeve on-line nga konsumatori vendas.

Ky momentum nuk duhet humbur nga operatorët ekonomikë sidomos nga biznesi i vogël dhe i mesëm, i cili në fakt është shumë mbrapa në këtë drejtim. Investimi në platforma shitjesh online dhe shpërndarja me porosi tek konsumatori fundor janë fushat ku duhet të fokusohet biznesi.

2. Një pjesë të pagesave t’i pranojë edhe në valutën e huaj (sidomos për mallra importi).Edhe psë bie ndesh me poltikën e de-euorizimit, kjo do të amortizojë nevojën përcash në treg duke mos bërë presione inflacioniste mbi valutën shqiptare. Sipas statistikave zyrtare, rreth 50% e depozitave në sektorin bankar është në valutë të huaj.

Gjithashtu, perceptimi publik është se pjesa më e madhe e të ardhurave jashtë sistemit financiar janë në valutë të huaj. Për këtë arsye, pranimi i kësaj valute në kushtet e nevojës për cash në ekonomi, do të ishte një amortizues i mirë i një paniku të panevojshëm.

3. Shkëmbimi mall-me mall (kleringu).Ky është një proces normal, edhe pse i pjesshëm, në kushtet e një ekonomie në zhvillim siç është Shqipëria. Kjo metodë ka shërbyer si lehtësues i mirë i transaksioneve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë (kryesisht ndërtim dhe agro-industri).

Pikërisht me qëllim facilitimin e ndërveprimit të kërkesë-ofertës ndërmjet sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, sugjerohet edhe përdorimi i këtij mjeti krejtësisht tradicional.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>