Ku duhet protestuar më 7 janar?

Nga Marlin Muça
Ku duhet protestuar më 7 janar?

Të qënurit një turmë pa kokë natyrisht që ka avantazhet e veta. Një ndër to, në kushtet e një pseudo demokracie shqiptare, është dhe ruajtja e integritetit fizik të protestuesve dhe në fund te të fundit dhe vazhdimësia e protestës.

Ama, mospasja e një kryesie organizative sjell po ashtu pasoja negative. Pasoja që ne i pamë kur vrapuam kuturu pasditen e 11 dhjetorit, në përfundim të ´ultimatumit´ të orës 16:00. Konfuzioni dhe pasiguria janë simptomat e një turme pa kokë, pasiguria për të sotmen dhe konfuzioni për të ardhmen e lëvizjes.

Në kuadrin e këtij bashkorganizimi të menduar qëllimisht nga ne studentët, besoj se është e kotë dhe e pamoralshme të bëjmë hapa pas duke zgjedhur përfaqësi apo çfarëdolloj ofiqi tjetër që ka në thelb protagonizmin. Natyrisht që pas këtij organizimi anarkik, pikëpyetjet mbeten, ndërkohë që studenti shqiptar, i pamësuar me protesta dhe greva, anon logjikisht drejt asaj që ai e njeh më mirë: shkollën.

Pyetja që shtrohet rëndom ditët e fundit është se ku do të orientohen turmat e çorientuara nga propaganda e pushtetit dhe bishtave të tij, mëngjesin e 7 janarit? Ku do të përqëndrohet forca e madhe studentore që prej dy javësh tronditi themelet e  pushtetit?

Ditët e fundit janë shpërndarë njoftime se protesta kësaj here do të mbahet në platenë e Universitetit Politeknik të Tiranës, godina e parë e Universitetit Publik Shqiptar dhe simbol i arsimit vendas 60 vitet e fundit. Njëkohësisht, një tjetër grup që ka marrë emrin ´Grupi i Rezistencës´ është zotuar se do të mbajë të pushtuar sheshin para Kryeministrisë deri më datën 7 janar, ditë kur sheshi do të rimbushet sërish nga studentët e të gjitha fakulteteve në një përpjekje finale për të sprapsur qeverinë nga turravrapi anti-kushtetues që ka ndërmarrë tash e tre vite në fushën e arsimit.

Shumëkujt mund t´i duket përçarje kjo ri-ndarje e energjive studentore në këtë apo atë institucion. I padiskutueshëm është fakti që brenda protestës ka shumë rryma që përpiqen ta fusin lëvizjen në hullitë që i leverdisin politikës. Megjithatë, tej tymnajës së përçarjes dhe kokëfortësisë dhe protagonizmit, një sy i stërvitur sheh lindjen e një dimensioni të ri pluralizmi brenda shoqërise shqiptare. Ky pluralizëm i ri mendimi nuk e rreshton humbësin përkrah fituesit. Kjo erë e re demokracie refuzon ta shndërroje shumicën në vrasëse të mendimit ndryshe, por i siguron të gjitha palëve  vendin dhe hapësirën e kërkuar ku secila mundet të  shpalosë platformën e saj ideore. Për sa kohë të gjithë jemi të unifikuar në qëllim, vendndodhja e atyre që duan të arrijnë qëllimin është e pavlerë.

Protesta është mjet që nuk kërkon një kuorum të nevojshëm për realizimin e saj. Ne kemi parë lëvizje që janë nisur nga 10 veta si e ajo e armëve kimike dhe që më vonë evoluoi në një të atillë që rrezikoi seriozisht pushtetin pak ditor të Rilindjes. Numrat kanë pak rëndësi kur fryma e protestës dhe koshienca e njerëzve anon kah reagimi.

Dy javët e protestës i dhanë rinisë studentore një paradigmë të fuqishme: Ne nuk na përfaqëson njeri, jemi ne ata që përfaqësojmë veten. Ky postulat i lëvizjes tregon se sa të ndërgjegjshëm jemi bërë ne në identifikimin e rolit të individit në demokracinë funksionale. Në demokraci individi vendoset në qendër të çdo korpusi ligjor, apo institucional qoftë ai. Në protestë, nevojat e individit nuk mund të mbrohen prej askujt tjetër, veçse atij vetë dhe ideve që individi guxon t’i bërtasë kudo ku e sheh të arsyeshme.

Pra, nuk është hiç i rëndësishëm vendi ku protestohet, të paktën në këtë fazë ku ndodhet lëvizja jonë. Rëndësi paraqet bojkoti dhe vazhdimësia e tij deri atëherë kur pushteti të sprapset dhe ky model qeverisës t´i përkasë librave të historisë. E teksa historia pret me padurim studentët në gjirin e saj, kjo formë organizimi dhe vetëdije demokratike ka marrë vlera historike tanimë. Protesa jonë shënon gurin e themelit për organizimet e mëvonshme, atëherë kur njeriu do të jetë mik njeriut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>