Ku po shkon, Shqipëri?

Nga Mimoza Boçari
Ku po shkon, Shqipëri?

O moj Shqipni, e mjera Shqipni,

Sa ngushtê je zanê me kêtê hajni,

Ti ke pas burra, gra me nder e besê

Sot hajdutêria tê ka fut nê thes.

 

Këto vargje dëshpërimi dhe diktatura që po merr formë çdo ditë e më shumë më shtynë të shkruaj.

Po bëhen tre vjet nga dita kur një milion qytetarë i besuan Kryeministrit Rama votën për të drejtuar vendin. Por, fatkeqësisht, kaq pak kohë ka mjaftuar për ta çuar zhgënjimin tonë me politikën në majën më të lartë të këtyre 25 viteve.

Paraardhësi i tij i PD-së, kultivoi në vend anarshinë e minoi demokracinë dhe përgatiti, kështu, terrenin për ardhjen në pushtet të pinjollit socialist Edi Rama. Të pakënaqur nga realiteti që prodhoi politika berishiste, ne fajësuam prejardhjen e tij komuniste për autokracinë e tij, bëmë fajtor Viçidolin e largët për deliret e tij dhe bëmë zgjedhjen e radhës, me të njejtën mendjelehtesi që na ka karakterizuar përherë. Injoruam faktet dhe “veprat”, besuam fjalët në erë dhe zgjodhëm të keqen e radhës, me mendimin mediokër se një “çun Tirone” do sillte përparim.

Realiteti i tre viteve qeverisje? Një tjetër shuplakë tronditëse. Fjalët dhe premtimet? Të gjitha gënjeshtra. E ardhmja? Një vend i shkretuar.

Shumë kush përpiqet që zhgënjimin e rëndë ta lehtësojë apo justifikojë duke bërë pyetjen: ishte i tillë Kryeministri ynë—gënjeshtar, hajdut, i pandjeshëm, delirant—apo është pushteti që e verboi dhe e bëri të tillë. Por, tashmë, nëse ishte i tillë apo u bë i tillë nuk ka më asnjë rëndësi.

Zgjedhja e tij nga ne është një tjetër ilustrim i fatkeqësisë së racës njerëzore që e ka pak të zhvilluar aftësinë e njohjes. Ne, shqiptarët, ndoshta e kemi edhe më të mangët se të tjerët këtë aftësi, pasi politikanët tanë as nuk përpiqen të fshehin gjë: të gjithë ata që na kanë drejtuar këto 25 vjet, kanë qenë haptazi karakteropatë dhe qënie të shitura tek paraja e pushteti.

Kur politikani gënjen dhe vjedh nuk ka më shtet dhe shoqëri të lirë, por ka vetëm krim dhe robëri. Kur përballë këtij realiteti nuk reagon askush, rezultatet jane te njohura, shembujt të shumtë: varfëri, shkatërrim të pasurive kombëtare dhe braktisje të vendit.

Politikanët shqiptarë, më së shumti gatuar me brumin e trashëguar nga sistemi komunist, kuptuan se politika është profesioni më i mirë për t’u pasuruar përmes mashtrimit. Përmes mashtrimit dhe autokracisë ata kanë sunduar vendin këto 25 vjet, duke mos bërë tjetër veçse duke e vazhduar ciklin e vuajtjeve dhe shkatërrimit të ëndrrave dhe dëshirave shoqërore të këtij populli.

Tashmë, me dashje apo pa dashje, ne kemi shkuar larg në shkatërrimin e gjithshkaje të mirë. Kemi humbur ndërgjegjen tonë individiale dhe shoqërore, kemi humbur moralin, kemi braktisur dijen, kemi shkatërruar natyrën dhe burimet e saj, kemi minuar lirinë— të gjitha të domosdoshme për një shoqëri të përparuar dhe dinjitoze.

Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: çfarë do të bëhet tani? Do të durojmë akoma hajduterinë, stilin e jetës që na percillet nga lart poshtë dhe anasjelltas? Do të durojmë mohimin e të drejtave elementare njerëzore, të punës, pronës, të trashëgimisë së çdo gjëje familjare, kombëtare? Do të durojmë akoma mungesën e transparencës së kësaj oligarkie hajdute, dhënien e çdo pasurie kombëtare me konçesion, ku çdo gjë e përbashkët kthehet në private? Do durojmë akoma betonizimin e vendit dhe zhdukjen e pasurive natyrore, burimet kryesore të jetës për ne dhe fëmijët tanë?

Jam e sigurtë se zëri i brendshëm tek secili nga ne thotë “Jo”, por kurajoja e zënë në ngërç dhe frika për vdekjen (edhe pse askush nuk vdes, kur i thotë jo së keqes) janë ato që na bllokojnë përballë detyrimeve tona shoqërore.

Edukata familjare ka për bazë moralin e së mirës. Ka prindër anemanbanë Shqipërisë që qortojnë dhe ndëshkojnë fëmijët e tyre kur ata gënjejnë apo vjedhin. Ka njerëz kudo që rrëmbejmë drurin për hajdutët që ju hyjnë në shtëpi apo lokal. Ka kudo njerëz që largojnë punonjësit që vjedhin dhe abuzojnë. Por kur na gënjen, na vjedh, na shkatërron ai, njeriu që kemi zgjedhur të na drejtojë dhe të cilin e paguajmë më paratë tona, ne heshtim e durojmë!

Heshtim e durojmë sepse shumë nga ne jemi shndërruar në njerëz të një morali, që presin radhën që nesër të bëhen si ai ose të përfitojnë një copë nga preja e tij. Sepse ka njerëz që janë skllevër apo shërbëtorë të së keqes. Sepse ka frikacakë që pranojnë të dhunohen tërë jetën nga frika se mos vdesin. Por ka edhe njerëz me filozofinë e Nastradinit që thonë larg të ndenjurës sime dhe nuk e kuptojnë se shpejt do t’i vi rradha edhe të ndjenjurës së tij .

Nëse të gjithë do tregonim një herë të vetme kurajo, nëse do të dilnim një javë të vetme të jetës sonë në rrugë për të ulëritur për të drejtat tona, qeveria dhe qeverisja do të ndryshojnë.

E ardhmja është çështje e zgjedhjes sonë. Ndryshimi nuk vjen nga lart por nga ne— sepse “i zoti e nxjerr gomarin nga balta”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>