Kujdes dëgjimin, nëse dëmtohet nuk rikthehet më

Nga Erblin Vukaj
Kujdes dëgjimin, nëse dëmtohet nuk rikthehet më

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vënë alarmin. Rreth 1.1 miliardë persona në botë janë në rrezik për të humbur dëgjimin, si pasojë e përdorimit në mënyrë jo të shëndetshme të aparateve audio-fonike, përfshirë këtu “smart-phone”-at, apo edhe për shkak të ekspozimit në nivele të larta të zhurmave, që ofrojnë klubet e natës, lokalet sikurse dhe eventet sportive.

Për këtë problematikë shëndetësore, për “Shekulli”-n, foli Bledi Nini, mjek otorinolaringolog (ORL) në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Për doktor Bledi Ninin “një herë pasi është humbur, dëgjimi nuk rikthehet më, ndaj gjithkush duhet të ketë kujdes”.

Duke treguar faktorët dhe shenjat e humbjes së dëgjimit, doktor Nini shprehet se rastet më problematike konstatohen pas mbrëmjeve nëpër diskoteka, ku sipas tij, ka pasur raste edhe të humbjes totale të dëgjimit. Fillon gjithçka me një zhurmë në vesh.

Një lloj fishkëllime që hera-herës zgjat më pak ose më shumë.

Ndodh që të shihet televizor me volum të lartë, u kërkohet të tjerëve të përsërisin atë çka thanë, kjo sidomos gjatë bisedave telefonike.

Ndërkohë që në ambiente të hapura dhe disi të zhurmshme, ka vështirësi në të kuptuarit të bisedave, kuptimi është i fragmentarizuar dhe vetë personi fillon dhe, pa e kuptuar, flet me zë më të lartë. Këto janë disa shenja që nuk duhen neglizhuar, pasi përgjithësisht tregojnë ulje të nivelit të dëgjimit, që sikurse thotë doktor Bledi Nini, mjek ORL “është problem pasi nëse dëmtohet dëgjimi nuk rikthehet më”.

Ulja e nivelit të dëgjimit njihet si diçka e zakonshme për moshat e thyera, ku shkaktar është dëmtimi fiziologjik i nervit, si rrjedhojë e vetë moshës, por uljet e nivelit të dëgjimit mund të ndodhin edhe në moshat e reja.

Në këto raste “shkaktarët kryesorë janë ekspozimi ndaj zhurmave të mëdha apo të menjëhershme, por dhe faktorët inflamatorë, si infeksionet e ndryshme virale apo dhe bakteriale, të cilat mund të japin dëmtime të përkohshme apo dhe të përhershme të dëgjimit”.

Ndikim i ndotjes akustike në zonat urbane dhe ndikimi i aparaturave audiofonike nëhumbjen e dëgjimit
Sipas raportimit të OBSH-ës, përballja në mënyrë konstante me zhurmat sjell rrezikun e humbjes së dëgjimit. Nga OBSH, llogaritet se ekspozimi për më shumë se tetë orë ndaj një zhurme mbi 85 decibel (zhurmat e trafikut rrugor) në vazhdimësi të mundë të sjellë dëmtime të dëgjimit. Ndërkohë edhe pse ndikimi pranohet gjerësisht, sikurse thotë mjeku Nini, ende nuk ka të dhëna empirike, të cilat të tregojnë sesa realisht ndikon ndotja akustike e zonave urbane apo dhe vetë aparaturat audiofonike në humbjen e dëgjimit. “Zhurmat janë shkaktarët kryesorë të humbjes së dëgjimit, sikurse është vënë në dukje edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, thotë doktori.

“Por duhet thënë se deri më tani nuk ka studime të mirëfillta dhe specifike të cilat të merren në konsideratë nga organizatat ndërkombëtare të ORL-ve dhe të tregojnë se sa është ndikimi real nga këta faktorë risku. Për shembull flitet shumë për ndikimin që kanë aparatet celularë apo aparatet e ndryshëm audio- fonikë si kufjet, por nuk ka ende studime të mirëfillta të cilat të tregojnë realisht ndikimin e tyre. Ndërkohë është i njohur gjerësisht fakti se dëmtimi i dëgjimit vjen si pasojë e zhurmës së fortë apo dhe ekspozimit me një zhurmë konstante për një kohë të gjatë”. Për sa i përket përballjes me zhurmat, doktori tregon se më të rrezikuarit janë personat që punojnë në profesione të tilla si aviatorë, mekanikë apo dhe muzikantë, por ulja e dëgjimit atyre u shfaqet pas një moshe të caktuar. “Ulja e nivelit të dëgjimit shfaqet kur veshi i është nënshtruar për vite të tëra një zhurme të caktuar, dhe normalisht kur kalohet mosha 60-vjeç. Në këto raste ulja e dëgjimit arrin vlerat 20-30 decibel për të dy apo për njërin vesh, varet nga ekspozimi, pra se kush vesh është ekspozuar më shumë ndaj zhurmës. Problemi është se nuk ka medikamente për ta korrigjuar këtë gjendje.

Nëse dëmtohet njëherë nervi i dëgjimit, nuk ka medikamente që të mund ta rikthejë dëgjimin ashtu sikurse ishte. Në këto raste vijnë në ndihmë aparatet e dëgjimit, të cilat bëjnë shumëfishimin e tingujve në të tillë mënyrë që të arrihet sërish perceptimi i tyre”. Duhet thënë se ulja e nivelit, apo dhe vetë humbja e dëgjimit mund të diktojë shumë aspekte të jetës. Si një nga shqisat perceptuese të realitetit, dëgjimi mund të kushtëzojë aktivitetin social, edukativ sikurse dhe aftësinë për të punuar. OBSH: Alarm për stilin e jetës Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë edhe një thirrje për një dyfishim të përpjekjeve për parandalimin e sëmundjeve që shkaktohen nga stili i gabuar i jetës, sidomos në vendet në zhvillim dhe ato më pak të zhvilluara ku vdekjet e shmangshme përllogariten të jenë më të mëdha në numër. Sipas OBSHës, çdo vit duhani vret rreth 6 milionë persona, alkooli 3.3 milionë dhe vetë jeta sedentare 3.2 milionë. Problematike shihet fakti i obezitetit te fëmijët, ku aktualisht llogariten të paktën 42 milionë fëmijë të moshës nën 5-vjeç, të cilët janë obezë.

Nuk e dëgjoja zilen e telefonit, doli se kisha dëmtim në njërin vesh”
Elton M, 24-vjeç tregon për “Shekulli”-n se ka rreth një vit që me veshin e majtë nuk dëgjon mirë. Ai thotë se dëgjimi iu dëmtua duke dëgjuar muzikë me volum të lartë. “Kam pasur si fiksim që shpeshherë kur bija për të fjetur të mbaja kufje dhe të dëgjoja muzikë, por përgjithësisht shtrihesha nga krahu i djathtë dhe për këtë mbaja vetëm krahun e majtë me kufje. Më zinte gjumi duke dëgjuar muzikë, dhe me raste u zgjoja po duke dëgjuar muzikë (qesh)”, tregon zakonin e tij, Eltoni. “Me kufje ecja edhe në rrugë, sidomos kur shkoja në shkollë. Ndërkohë që edhe kur punoja me kompjuter, e kam pasur si natyrë që mbaja në sfond muzikë. Për volumin nuk di të them tamam, se për mua mirë ka qenë (qesh). Pas një periudhe, nuk është se e mbaj mend mirë, filloi që kur çohesha nga gjumi, ose në ndonjë moment qetësie të më fishkëllente veshi i majtë. Që nga ai moment nuk i mbaja më kufjet”. Por reagimi i Eltonit rezultoi të ishte i vonë, pasi ekspozimi për një kohë të gjatë me zhurmën konstante të kufjes e kishte dhënë rezultatin e tij.

“Fillimisht vura re që më ndodhte shpesh të mos çohesha nga gjumi edhe pse vija zile celulari. Domethënë sikur e kisha gjumin e rëndë, kështu kujtoja në fillim, por më vonë sikur e konstatova që nga njëra anë nuk dëgjoja mirë. E gjitha kjo mund të ketë ndodhur për punë tre-katër javësh. Më pas më filloi si dhimbje. Me atë neglizhencën e përgjithshme, mbaj mend që pata përdorur alkool borik (qesh)”. Pasi iu drejtua mjekut ORL, Eltonit iu konstatua një dëmtim i natyrës perceptuese të dëgjimit në veshin e majtë. Ai tanimë duhet që t’i bëjë kanalit të veshit të majtë larje të herëpashershme në mënyrë që ta ndiejë më të lehtë dëgjimin. “Është shumë shqetësuese sidomos me shoqërinë time, pasi kur u them se nuk e dëgjova mirë këtë apo atë diskutim, e ndiej se bëhem i bezdisshëm. Në fillim ata e merrnin si shaka, sikur unë tallesha me to por them se tanimë ata janë mësuar me mua”, tregon Eltoni, i cili është student arkitekture.

Kujdes nga bokset e diskotekave, mund t’ju dëmtojnë dëgjimin
Përtej këshillave, të tipit “ulni volumin” apo shmangni ambientet e zhurmshme, doktor Bledi Nini, këshillon, që të gjithë personat të cilët punojnë në kushte që profesioni ua detyron ekspozimin me zhurmat e ndryshme, të përdorin kufje profesionale. “Duhen përdorur kufje profesionale, të cilat i izolojnë në një farë mënyre veshët. Këto kufje, që janë në shitje të lirë, mund t’i mbrojnë ata nga zhurmat e vazhdueshme me të cilat janë të ekspozuar, qofshin zhurma të një niveli jo dhe aq të konsiderueshëm, pasi ekspozimi i shpeshtë me zhurmat është ndër shkaktarët kryesorë të dëmtimit të dëgjimit”. Nga ana tjetër për të rinjtë mjeku këshillon që të jenë të kujdesshëm me volumin dhe sidomos t’u shmangen qëndrimeve pranë bokseve nëpër diskoteka.

“Duhet ta them që ne kemi pasur raste që vetëm nga një ekspozim, pra vetëm nga një natë, nga një zhurmë e fortë e boksit, pacientët kanë humbur dëgjimin në mënyrë të përhershme, nga njëri vesh apo dhe nga të dy përnjëherësh. Pra me idenë se mjafton që të jemi brenda një diskoteke, të rinjtë pranojnë të rrinë edhe poshtë bokseve, pra aty ku përqendrimi i zhurmës është dhe më i madh, kjo gjë duhet shmangur kategorikisht, sidomos kur qëndrimi është i gjatë”. Nuk duhet harruar higjiena, pastrimi i veshëve në mënyrë të kujdesshme nga dylli. Ndërkohë që nga ana tjetër doktor Nini theksoi se mjeku nuk duhet anashkaluar. “Vizitat dhe kontrollet e shpeshta janë ndër më kryesorët, pasi disa probleme të dëgjimit mund të zgjidhen me ndërhyrje shumë të vogla dhe kështu të shmangen përkeqësime që mund të ndodhin në vazhdimësi”. Ndërkohë OBSH këshillon që të reduktohen përdorimet e aparaturave audio-fonike me të paktën një orë në ditë, dëgjimi i muzikës të kryhet në mënyrë të shëndetshme duke mos abuzuar me volumin, sikurse edhe nëse qëndrohet në ambiente të zhurmshme të bëhen pauza të herëpashershme, duke lëvizur në ambiente më të qeta.

OBSH: 1.1 miliardë persona rrezikojnë të humbasin dëgjimin
Organizata Botërore e Shëndetësisë, pretendon se rreth 1.1 miliardë adoleshentë dhe të rritur, të moshave 12-35 vjeç, rrezikojnë humbjen e dëgjimit. Nga kjo shifër e pretenduar nga OBSH, 43 milionë persona, po të kësaj kategorie, e kanë humbur tashmë dëgjimin. Sipas OBSH-ës, rreth 50 për qind e personave të kësaj grup-moshe, janë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të zhurmave, si pasojë e përdorimit në mënyrë jo të shëndetshme të aparaturave audiofonike. OBSH thotë se përdorimi me volum të lartë i kufjeve apo dhe celularëve “smart-phone” shkakton dëmtime në aparatin e dëgjimit. Ndërsa afërsisht 40 për qind e të rriturve (18-35), janë të ekspozuar ndaj muzikës me volum të lartë në klube, diskoteka apo lokale. Kjo kategori, sipas OBSH-ës ka një shkallë potenciale më të lartë për të hasur humbjen e dëgjimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>