Në maj të vitit 2013, një kompani shërbimesh financiare, Liberty Reserve, u mbyll pasi një hetim i shtrirë në 17 vende zbuloi se ajo kishte pastruar rreth 6 miliardë dollarë nga një mozaik veprimtarish kriminale si trafikimi i drogat, pornografia me fëmijë, mashtrimi me kartat e kreditit, vjedhja e identitetit, hack-imi i kompjuterave etj. Një nga themeluesit e kompanisë, Vladimir Kats, u dënua me 75 vite burg. Besohet se ky është një ndër rastet më të mëdha të pastrimit të parave në botë.
Ndërsa në vitin 2020, në Shqipërinë e Rama-Veliajt, të gjitha paratë që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare në botë, mund të bëhen të ligjshme dhe të hyjnë në sistem pikërisht në Shqipëri. Kjo duket se është qershia mbi tortë e projektit të kritikuar të qeverisë për atë që Rama e quan amnisti fiskale.
Kjo amnisti nuk u kërkua nga komuniteti i biznesit apo nga shoqata e bankave, por u propozua nga qeveria. Logjika të thotë se prej këtu duhet nisur për të kërkuar përfituesit nga amnistia.
Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka kritikuar draftin final të Ministrisë së Financave. Sipas përfaqësuesve të Fondit, kjo amnisti mund të përdoret për pastrim parash dhe për të përkeqësuar kulturën fiskale në vend.
Dyshimet e Fondit janë të bazuara. Indeksi i Bazelit e rendit Shqipërinë në mesin e katër vendeve më të kërcënuara nga rreziku i pastrimit të parave në kontinentin evropian. Megjithëse më herët janë ngritur shqetësime se qeveria mund të jetë duke u përpjekur të tërheqë në vend paratë e pista të botës së nëndheshme të mafias, ato nuk e ndalën Edi Ramën nga projekti i tij.
Drafti i fundit i ligjit jo vetëm ka konfirmuar dyshimet se administrata socialiste, e akuzuar nga raportimet ndërkombëtare dhe vendore si lehtësuese e rrjeteve të trafiqeve të narkotikëve, po përpiqet t’i legalizojë paratë e mafias shqiptare, por ka zbuluar edhe një detaj shumë domethënës. Subjekt i ligjit të paraqitur për miratim mund të jenë jo vetëm shtetasit shqiptarë, por edhe shtetas të huaj, mjaft që të kenë një biznes të regjistruar në Shqipëri.
Neni 5, pika 1 e këtij projektligji përcakton si subjekte të tij “individët shtetas të Republikës së Shqipërsë pavarësisht nëse janë rezidentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre”.
Domethënë, çdo banor i planetit që ka para të padeklaruara, për sa kohë nuk është i dënuar për vepra kriminale, do të ketë të drejtë të shkojë në bankat shqiptare dhe të dorëzojë shumat që dëshiron të ligjësojë. Natyrisht, hartuesit e këtij projektligji do të argumentojnë se vlerat e synuara për legalizim janë vetëm ato që gjenden aktualisht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Por për këdo është e qartë se hyrja e shumave të mëdha përmes kanaleve jobankare nuk është një çudi e madhe nën këtë qeverisje.
Arsyeja përse Indeksi i Bazelit e ka futur Shqipërinë në grupin e ngushtë të 4 vendeve europiane me më shumë potencial për pastrimin e parave është pikërisht mungesa e kapaciteteve dhe e vullnetit politik për pengimin e kësaj veprimtarie kriminale. Me një linjë ajrore shtetërore, për Shqipërinë e klasifikuar si vend kryesor i pastrimit të parave, hyrja e vlerave monetare të paligjshme është proces i thjeshtë.
Prej tre vitesh, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpall Shqipërinë vend kryesor të pastrimit të parave dhe bazë operacionale për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në ShBA, Europë, Lindje të Mesme dhe Amerikën Latine. Sipas raportit, ndërtimi në qendra urbane dhe bregdetare, projektet e biznesit dhe lojërat e fatit janë metodat më të zakonshme të pastrimit të parave në Shqipëri.
Kapacitetet e administratës shqiptare për të luftuar pastrimin e parave janë pothuajse zero. FMN ka kërkuar krijimin e sistemeve efektive të gjurmimit të evazionit fiskal dhe pengimit të pastrimit të parave dhe korrupsionit, përpara se Shqipëria të ndërmarrë një hap të tillë.
Po përse Rama është kaq i vendosur për ta ndërmarrë këtë gjoja amnisti fiskale edhe pse vendi nuk ka sisteme efektive të gjurmimit të parave të pista dhe kapacitete të parandalimit?
Socialistët pretendojnë se i shqetësuar nga ngërçi ekonomik ku gjendej Shqipëria pas tërmetit të 26 nëntorit, Rama ishte gati të merrte në sy edhe rrezikun e përkeqësimit të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Tani, pas krizës së thellë të ekonomisë nga Covid-19, argumenti duket edhe më i besueshëm.
Por, siç e thonë edhe raportet e sipërcituara, pastrimi i parave të pista në Shqipëri, si edhe kudo, nuk bëhet përmes rritjes së pagave apo prodhimit që do të krijonte punësim. Këto para investohen në projekte me efekte shumë të ngadalta dhe të tërthorta në konsum, siç janë ndërtimet luksoze, lojërat e fatit etj.
Këta janë edhe sektorë që nuk do të prodhojnë ndonjë efekt pozitiv në buxhet, pasi shumica e projekteve të tilla hyjnë në kategori të përjashtuara nga TVSH, përfitues të skemave favorizuese si “Shqipëria 1 euro” etj. Për pasojë, legalizimi i shumave marramendëse nuk do ta zbusë varfërinë e shqiptarëve, por thjesht do të bëjë më të pasur ata që janë tashmë të pasur, si dhe mund të shtojë disa oligarkë më shumë në ekonomi.
Shqipëria me një klasë politike të stërkorruptuar mund të shndërrohet kështu në parajsë fiskale, jo vetëm për rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës, manipulimeve financiare, terrorizmit dhe trafikimit të armëve, por sidomos për politikanët e korruptuar që kanë pasuri të mëdha brenda dhe jashtë vendit.
Në kulmin e dixhitalizimit, është bërë pothuajse e pamundur që dikur këto pasuri të mos identifikohen dhe të mos bëhen të njohura për publikun.
Përjashtimi që projektligji u bën funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë shtetërorë nga përfitimi prej amnistisë është tërësisht formal. Ata që do të sjellin paratë në Shqipëri, të huaj apo shqiptarë, e kanë një mundësi më tepër për të zgjidhur çështjen e deklaruesve formalë të atyre shumave.
Shqipëria e 2021-shit do të jetë, pra, një vend me polarizim shumë më të thellë social, me oligarkët, politikanët e lartë dhe organizatat kriminale të fuqizuara edhe më tej dhe një publik shumë më të dobët për të realizuar ndonjë ndryshim sado të vogël. Kështu, regjimi Rama-Veliaj konsolidohet përballë opozitës dhe publikut dhe forcohet për të penguar ndryshimin që mund të sjellin zgjedhjet e ardhshme. Amnistia fiskale duket thjesht një projekt korruptiv, ndërkohë që fsheh potenciale politike dhe shoqërore që vetëm planifikuesit dhe zbatuesit e saj mund t’i përdorin.