Kujtesa dhe armiqtë e saj

Nga Jonila Godole
Kujtesa dhe armiqtë e saj

Rezultatet e sondazhit të fundit për qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj diktaturës ishin të pritshme. Mbështetja e lartë që regjimi komunist dhe vetë diktatori Hoxha gëzon ende sot nga të vjetër e të rinj, nuk mund të habisë askënd. Këtë qëndrim e ndesh vazhdimisht nga studentë në auditorin e universitetit, nga nxënës në gjimnaze dhe nga mësues nostalgjikë në gjithë vendin. Më habiti vetëm habia e atyre që mendojnë se diktatura ka vdekur (rroftë demokracia!) dhe se shqiptarët janë ndarë nga kjo e shkuar e hidhur.

Sa prej nesh e dinë se data 20 shkurt është shpallur ditë kujtese kombëtare? Dhe sa e njohim simbolikën e 20 shkurtit? Sa ish të burgosur, ish të internuar dhe familjarë të atyre që janë ekzekutuar kanë qenë të pranishëm në shkolla në këto 25 vjet, dhe sa veteranë apo fëmijë ish-veteranësh? A thua se historia e Shqipërisë mbaroi me përfundimin e Luftës II Botërore dhe 45 vjet ishim izoluar në… Hënë.

Po e ilustroj këtë me një shembull konkret: Para pak muajsh, në një aktivitet ndërgjegjësues të IDMC për diktaturën me të rinj gjimnazistë, diku jug të Shqipërisë, nga autoriteti lokal nuk na u lejua të përdornim ambientet publike të qytetit, shkollën apo kinemanë, me pretekstin: “Do nxehen veteranët dhe nuk na e japin votën më 2017!” Ndërsa mësuesit nuk preferuan të vijnë në aktivitet, kur mësuan se dokumentari kritikonte Enver Hoxhën dhe regjimin e tij.

Kjo është gjendja reale e kujtesës në Shqipëri sot: nostalgji për të shkuarën ose harresë dhe mungesë e plotë informacioni. Dhe pasojat e kësaj mospërballjeje, kësaj “moslarjeje të hesapeve” me të shkuarën i shohim te përgjigjet e të rinjve gjatë sondazhit të fundit, të mbështetur nga OSBE. Sepse kujtesa është një proces dinamik, ajo ndryshon me kalimin e kohës, po aq sa shuhet, nëse nuk ushqehet.

Duke mos e ushqyer kujtesën me fakte dhe dëshmi, duke heshtur mbi diktaturën, kemi ushqyer harresën. Jemi kthyer në një popull që të shkuarën e vet e heshton për llogari të hesapeve të momentit, pa kurajë për t’u përballur me të djeshmen. Jemi një vend me mbi 700 lapidarë, mijëra bunkerë dhe ku parrullat e luftës së klasave mbisundojnë peizazhin, por i kemi shkatërruar vendet famëkeqe të kujtesës, burgjet, kampet e internimit dhe të shfarosjes. Jemi një vend ku viktimat e regjimit dhe persekutorët e tyre ende jetojnë, mes nesh, dhe ku të parët ende nuk janë vlerësuar dhe të fundit nuk janë dënuar. Dhe sa më shumë kohë kalon, aq më shumë dëshmitarë okularë të krimeve të diktaturës humbasim përditë, duke humbur bashkë me ta dëshmi të rezistencës ndaj atij regjimi.

Prej disa vitesh ka një angazhim serioz të disa institucioneve, shtetërore dhe të pavarura për të ashtuquajturin “proces i ballafaqimit me të shkuarën”, projekte studimore dhe sensibilizuese, por puna e tyre fatkeqësisht ka kaluar në heshtje dhe, kushedi sa do të vazhdonte kështu, nëse nuk do të përfshiheshin aktorët ndërkombëtarë.

Fillimisht ka qenë Fondacioni Konrad Adenauer, më pas OSBE, Ambasada Gjermane etj., të cilët ndikuan që kjo çështje e rëndësishme të futet disi në axhendën e politikës dhe të mediave. Përfshirja e “ndërkombëtarëve” (edhe) në këtë proces, si garanci për suksesin e kauzës, dëshmon fatkeqësisht dështimin tonë si shoqëri, për të reflektuar në mënyrë të pavarur mbi të shkuarën dhe historinë  tonë.

Dëshmon gjithashtu dështimin e klasave politike nga 1990-ta deri më sot për ta parë ballafaqimin me diktaturën si një çështje jopartiake dhe me rëndësi për të gjithë. Me heshtimin që i kanë bërë kësaj teme, përfaqësuesit e të gjitha ngjyrave politike, kanë ushqyer botëkuptimin naiv dhe dritëshkurtër se “e shkuara duhet lënë pas” dhe se “duhet të shohim përpara” – a thua kujtesa kolektive e një populli mund të fillojë befas nga viti “0”?!

Siç i kanë mëshuar fort shprehjes se “shqiptarët kanë qenë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë të regjimit”, për t’i futur të gjithë në një thes, për të reduktuar sa fajin e njërës palë, aq edhe rezistencën dhe persekutimin e palës tjetër. Pjesë e operacionit “H.K.” (harresa kolektive) është mungesa e ballafaqimit historik me diktaturën në tekstet shkollore, për më tepër manipulimi i të rinjve me informacione kallpe mbi investimet e regjimit, por asnjë rresht mbi krimet në emër të partisë dhe kultit të individit.

Pasigurinë që e shoqëron brezin e ri kur flet për këtë periudhë, nën efektin e informacioneve kontradiktore, e nxori në pah një gjimnazist i “Çajupit” pas një vizite me klasën në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, ku të rinjtë panë me sytë e tyre dëshmi dhe fakte të persekutimit në veri: “Gjyshi im ende mendon se shteti i Enver Hoxhës ishte fiks ai që na duhej ne shqiptarëve dhe asgjësimi i tradhtarëve dhe sabotatorëve ishte i domosdoshëm, nëse këta dilnin kundër partisë”.

Mbase ka shpresë. Nëse ne i japim të rinjve shansin dhe instrumentet e duhura për të zhbiruar historinë pse jo në familje fillimisht, si vendi ku mbruhet kujtesa individuale.

Ngritja më në fund e “Autoritetit të Dosjeve” dhe projekti pilot i ISKK për t’u prezantuar nxënësve të Tiranës fytyrën tjetër të regjimit që ka munguar deri më tani në kurrikulën shkollore, janë dy ngjarje historike të një rëndësie thelbësore për stadin e kulturës së kujtesës në Shqipëri, edhe pse opinioni publik nuk po i trajton si të tilla. Sepse pavarësisht dëshirës së mirë të individëve dhe shoqërisë civile, pa mbështetje institucionale dhe politike, nuk mund të arrihet dekomunistizimi dhe ballafaqimi real me të shkuarën.

Por ky është vetëm fillimi i një procesi që do të jetë me gjasë i gjatë dhe i dhimbshëm, i cili duhet të nisë me analizën e arsyeve: Përse ai regjim qëndroi aq gjatë i paprekur dhe i palëkundur? Në ç’mënyrë mundi të manipulonte për dekada të tëra një popull të tërë përmes propagandës boshe të partisë dhe të një klike njerëzish? Si ia doli të eliminonte çdo mendim ndryshe dhe të gjente mbështetje të gjerë të masave në çdo cep të vendit? Si mund t’i mbyllte sytë shoqëria përballë përndjekjes dhe persekutimit të mijëra njerëzve, familjarë, fqinj, miq?

Vetëm kur t’u kthejmë përgjigje këtyre pyetjeve e shumë të tjerave, mund të themi se kemi nisur ballafaqimin tonë me të shkuarën. Përndryshe “kujtesa” rrezikon të degradohet në një fjalë boshe për të mbushur axhendat e politikës, siç ka ndodhur rëndom në këto 26 vjet.


Ky artikull është botuar më parë në Panorama.com.al

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>