Kulisat — Si ja rrëzoi Tahiri qeverinë Ramës

Nga Blendi Fevziu
Kulisat — Si ja rrëzoi Tahiri qeverinë Ramës

Kryeministri Rama ka qenë i detyruar të ndërrojë jo një ministër, por plot 4, thuajse 25 % të qeverisë së tij. Nuk ka qenë një ndërrim për të përmirësuar punën e qeverisë; as për të ndihmuar më shumë partinë në fushatën e zgjedhjeve siç po tenton të shitet. Ka qenë një ndryshim jo i Ramës, por i imponuar nga Saimir Tahiri, Ministri i brendshëm ende në detyrë, që dje ka luajtur një lojë të fortë.

Mbrëmjen e së premtes, Rama kishte vendosur të largonte nga detyra Tahirin. Deri të premten në mëngjes, Tahiri konsiderohej si një nga ministrat më të afërt të Ramës dhe më i vlerësuari publikisht nga vetë Rama. Por të premten, Rama ka vendosur ta zëvendësoj. Shkaqet nuk dihen dhe këtu mbetemi vetëm në aspektin e hipotezave. Por një burim i besuar deklaron që zëvendësimi i Tahirit, përveçse nga Meta ishte kërkuar edhe nga persona të tjerë me influencë që me gjasë e shinin atë si një pengesë në rrugën e tyre. Midis këtyre që kishin kërkuar largimin e Tahirit, numërohen edhe persona me shumë akuza për lidhje me krimin.

Tahirit i është kërkuar largimi përmes dorëheqjes. Sipas të gjitha gjasave Tahiri nuk e ka refuzuar këtë vullnet të Ramës. Por natën midis të premtes dhe të shtunës me gjasë Tahirit i kanë mbërritur informacione se si është kërkuar largimi i tij. Nën trysninë e tyre, ose i nervozuar për to, Tahiri ka refuzuar të japë dorëheqjen dhe i ka kërkuar Ramës ta shkarkojë. Në ambientet politike flitet për një diskutim të tensionuar mes tyre në fund të së cilit, Tahiri është larguar pa rënë dakort me Ramën. Në këtë rrethanë, duke mos dashur ta shkarkojë Tahirin në kushtet e protestës së opozitës, Rama ka vendosur të bëjë një zëvendësim të thuajse 25 % të qeverisë. Tahirit i është bashkuar edhe Ilir Beqaj, shumë herë i akuzuar nga qeveria, bashkë me Blendi Klosin dhe Blendi Çuçin. Pra Beqaj, Çuçi dhe Klosi u bënë kontorno për Tahirin.

Largimi i tyre nga qeveria për të drejtuar qarqet nuk qëndron. Në qeveri vijon të qëndrojë Gjiknuri, Bushati apo Ahmetaj që po ashtu drejtojnë qarqe. Madje disa prej tyre qarqe më të rëndësishëm se sa Kukësi i Beqajt, Gjirokastra e Çuçit apo Berati i Klosit.

Largimi se për ta kishte akuza mund të qëndrojë për Ilir Beqajn, por nuk qëndron edhe aq për Çuçin dhe Klosin. Nëse do ishte për akuza, veç Beqes, Gjiknuri dhe Nikolli do qëndronin në krye të listës.

Po ashtu nuk mund të thuhet se janë larguar si pasojë e raporteve me kryeministrin sepse së paku Beqja ka marrëdhënie shumë të mira me të.

Ka një teori që ministrat e zgjedhur janë ata që kanë qenë kundërshtarë të Veliajt dhe kontestues të punës së tij, por edhe kjo duket e vështirë për t’u besuar. Më shumë ngjan një përkim i rastësishëm se sa një strategji për t’i hapur rrugën Veliajt. Sepse çështja e trashëgimisë së PS nuk shtohet ende si çështje. Pra nuk ka aktualitet. Dhe as Veliaj, në postin që ka nuk ndihet i kërcënuar nga askush. Dhe as është pjesë e axhendës zgjedhore.

Me gjasë, Tahiri ka marrë me vete ata ministra që janë më të urtët dhe që i hapin më pak probleme Ramës pas largimit nga detyra. Ose ata ministra që edhe në rast fitoreje të zgjedhjeve nuk do jenë më pjesë e qeverisë. Ata janë përdorur si shkarpa në zjarrin ku duhej të digjej Tahiri, duke lënë vendet bosh për ca ministra të tjerë, ministra që besohet se do qëndrojnë ende 6 muaj në detyrë. 6 muaj të mjaftueshëm që duke përfituar nga posti i Ministrit të krijojnë një profil politik që t’i mundësojë të vijojnë më tej në linjën e parë të partisë.

Tahiri po ikën nga qeveria ndryshe nga sa besonin shumë vetë. Po ikën si tërmet, duke marrë me vete edhe një pjesë të qeverisë dhe duke e vënë për herë të parë seriozisht në vështirësi Kryeministrin e tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>