Kur Niçja flet me Volterin dhe i përgjon Bild-i

Nga Ermal Mulosmani
Kur Niçja flet me Volterin dhe i përgjon Bild-i

Sot gazeta gjermane më e madhe, e përditshmja Bild, publikoi përgjimet mes politikanëve shqiptarë dhe trafikantëve ndërkombëtarë të narkotikëve, Avdulajve të Shijakut.

Kur mendoj tirazhin e gazetës mbi 3,5 milion kopje, një nga 5 gazetat më të mëdha në botë dhe më e madhja e Gjermanisë, më skuqet faqja. Na e morën fytyrën! Përtej shërbimit që i bëjnë demokracisë, do të preferoja që publikimi të bëhej në një media vendase.

Kur dëgjoj një trafikant të mirënjohur ndërkombëtar që mban si nofkë emrin e Niçes së madh mendoj se vërtetë dikush i ka folë atij për teoritë e Niçes, për Mbinjeriun! Duhet të ketë qenë nga stani më i afërt i krimit të organizuar, nga Politika. Se këta çoç lexojnë dhe japin edhe idera. Dhe Astritit, fap, i ngjiti si me mastiç nofka, NIÇE!

Për mua e paska pasë fjalën shkrimtari- mendoi.

E kështu, Niçja na del në biseda me shkrimtarë të kohës sonë si Gjushi, Drejtori i Ujësjellësit, Volteri-n etj etj. Po çfarë flet një trafikant, një kriminel elitar me shkrimtarë të nivelit të lartë si Gjushi, Volteri, Iv-i etj etj?

Në mes përgjimeve katër janë më tronditëset.

Përgjimi më tronditës është kur merr Kryetarin e Bashkisë së Shijakut dhe e urdhëron që nesër në orën 10.00 të jetë në një takim me Kryetarin e Bashkisë Durrës, Kandidatin për deputet të propozuar nga Niçja, vëllain e kandidatit dhe vetë atë, Niçen e modh! Pra, të mblidhemi e ta caktojmë Ilirin (kandidatin e narkotrafikut) në listën për deputetë!

Sot, kandidati i Niçes, Ilir Ndraxhi, ai për të cilin bëhet fjalë në atë takim është deputet i Partisë Socialiste. Ky është fakt.

Përgjimi i dytë tronditës është ai me Drejtorin e Ujësjellësit. Këtij fakirit, në fakt, i duket vetja me shumë fat që u telefonua nga Niçja. Ndihet i vlerësuar dhe lepe-peqe. I ka ndarë mirë punonjësit e vet në ata që mund ta votojnë PD-në dhe të tjerët. Niçja mendon se “është koha t’i tundim nga një çikë dhe “O te puna e të marrin rrogën o te shpija”!

“T’i tundim nga një çikë”…. Hëm, a thua për çfarë do ta ketë pasë fjalën?! Kjo mbetet e pasqaruar…

Drejtori i ka bërë këto ndarje me kohë. Ai i emocionuar nga telefonata e mbyll me fjalët:” Po ça thua mo burrë, ça na fal? Je i madh! Ciao!”

Përgjimi i tretë interesant është me vëllain e kandidatit për deputet, të atij që vetë Niçja propopozon të jetë deputet. Pas përshëndetjeve e pyet “A ka ndonjë gjë të re apo akoma, a e ka marrë ndokush Ilirin (kandidatin për deputet) në telefon për ta njoftuar apo akoma.

Pra, nënteksti është që “unë e kam bërë timen (atë bisedën e orës 10 të përmendur në përgjimin e parë), tani pritet nga dita në ditë të caktohet në listat e PS-së”. Pastaj i thotë në eufori e sipër “Do ia bëjmë qejfin Ramës, do i mundim 10 me 0!”

Telefonata tjetër e përgjuar është më e lezetshmja. Ajo është me një qytetar të Shijakut që mban nofkën “Volter”. Këtij i bëhet thirrje që të ketë kujdes me votat, të gjitha të shkojnë me PS-në. Nuk ka llafe. “Kur do pijmë një kafe”? e pyet Niçja- Volterin. “Kur të dush ore, unë me ty, Çimin dhe çunat kam qenë përherë” përgjigjet Volteri i përunjur.”

“Unë desha me folë një çikë edhe me vëllain tënd, Jarin” vazhdon Niçja.

“I them unë ene atij“ e mbyll Volteri…

Skenë e denjë për tek Godfather.

Pra, si konkluzion, Niçja, eksponenti kryesor i krimit në Durrës, garanton fitoren e Partisë Socialiste përmes Volter-ëve dhe Drejtorëve lokalë socialistë që i ka si ushtarë, cakton deputetët e Partisë Socialiste dhe ka mik të ngushtë Vangjush Dakon, Kryetarin e Bashkisë së qytetit nr 2 në Shqipëri. Kjo është më e pakta që del nga këto përgjime.

A është ky shteti i kapur nga krimi?! A janë këto përzierjet e Politikës me elitën e krimit?! Nëse edhe kjo nuk quhet “ndonjë gjë e madhe”, atëherë, mirë na e bëjnë!

Dhe diçka në fund, për ta mbyllur. Nuk e mendoj rastësore daljen në gazetën kryesore të Gjermanisë.

 

Botuar në Gazeta Express

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>