Pothuajse të gjithë qenkan të programuar të pohojnë se ndodhen përballë një skandali. Disa e quajnë krim të rëndë; të tjerë, më të ndjeshëm, si cënim të sigurisë kombëtare. Është më e thjeshtë se kaq: ka rënë perdja që mbulon pafytyrësinë dhe, si rrallëherë, prozhektorët ndriçuan hemisferën e padukshme, tej fasadës, duke zbuluar ngrehinën e hipokrizisë sociale.
Për ta thënë edhe më thjeshtë: e vërteta doli në pah (së paku një pjesë e saj)!
Vetëm një naiv mund të besojë se autoritetet kanë hallin e të dhënave personale, kur pak muaj më parë, militantët që administronin dhe përpunonin (padrejtësisht) këto të dhëna, u përkrahën nga Kryeministri, ndërkohë që gazetarët kurajozë të Lapsit, që zbuluan krimin, sot, rrezikojnë të ndiqen penalisht.
Propaganda dhe pehlivanët e saj, po përpiqen të fokusohen te të drejtat e njeriut, por qëllimi është që të fshehin anën e errët të veprimtarisë dhe të manipulimit shtetëror. Është kaq e thjeshtë!
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojten e të Dhënave Personale deklaroi se qytetarët duhet të bëjnë dallimin, mes “Interesit publik” dhe “Interesit më të lartë publik”. Por historia ka treguar shpesh, se në emër të një interesi më të lartë, favorizohen grupe, të cilat, nën propagandën për ruajtjen e një ekuilibri interesash, mbrojnë interesat e tyre të ngushta, duke dëmtuar interesat e shoqërisë. Është për këtë arsye, në një kohë kur më shumë se çdo gjë tjetër më herët, kërkohet transparencë, Komisioneri dhe e tërë makineria shtetërore po lartëson kultin e të dhënave personale. Kjo mund të jetë shumë e rrezikshme për lirinë e shprehjes dhe për punën e çdo gazetari.
Ndonëse deri tani janë zbuluar disa qindra mijëra të dhëna (një tjetër e re u shtua sot), ende nuk po shoh të rrjedhë në media ndonjë e dhënë mbi të cilën të mos ketë një interes të veçantë publik, çka tregon se shoqëria shqiptare është në gjendje të bëjë zgjedhje të matura, duke reflektuar emancipim të mjaftueshëm për të lënë mënjanë të dhëna, të ashtuquajtura personale, pa interes publik.
Respekti dhe kujdesi për të dhënat personale mbetet i pazëvendësueshëm, por ajo çka shqetëson më shumë autoritetet, nuk janë të dhënat që ata i dinë (vetë kryeministri e pohoi). Historitë e treguara nga kryeministri për të dhëna personale dhe për kriminielë që shqyejnë zyrat e administratës, s’janë veçse alibi për të fshehur të dhëna, të cilat, duke u bërë publike, na informojnë për atë çka, sipas autoritetit, shoqëria nuk nuk duhet që t’i dijë.
Por sot, falë kësaj rrjedhjeje ne dimë së çfarë metodash përdor qeveria për të manipuluar opinionin publik; dimë sesi një pjesë e media-s e manipulon opinionin. Sot, falë rrjedhjes së pagave, njerëzit pyesin dhe kanë të drejtë, se përse piaristët e një spitali privat i cili përfiton pasuri publike, shpenzon kohë të plotë për të propaganduar në media arritjet e qeverisë?
Falë kësaj rrjedhje mësuam se si një pjesë e burokratëve të korruptuar të administratës, pasi janë dekonspiruar në veprimtaritë e tyre kriminale, në dëm të pasurisë publike, janë strehuar nëpër auditore studentësh, si pedagogë e profesorë, duke mësuar brezin e ri në sistemin akademik; sesi një pjesë e ekspertëve mjedisorë, mbrojtës të flaktë të mjedisit, figurojnë nëpër bordero, si të punësuar nga të njëjtët sekserë që u shërbejnë koorporatave financiare që po shkatërrojnë mjedisin dhe po shterrojnë burimet tona natyrore.
Një sistem i tërë mashtrimi financiar ka dalë në dritë, falë rrjedhjes së pagave. Kësisoj përhapja po i shërben zbulimit të këtij mashtrimi.
Ndaj tani kërkohet një alibi, një dalje nga kjo situatë; një teknikë manipulimi, e gatshme për t’iu shpërndarë publikut të zemëruar, një përpjekje për të fshehur prej qytetarëve atë që qeveria vetë e di prej kohësh. Dhe ja, në ndihmë thirret media. Gjithçka më tej shënon një arritje të trushplarjes të cilën media e përcjell pa ndonjë reflektim drej shoqërisë, për llogari të qeverisë shqiptare.
Nuk kujtoj ende ndonjë ngjarje të ngjashme publike, ku njëmendësia mediatike të arrijë nivele dakordësie kaq të larta, si në rastin e rrjedhjes së pagave. Çdo tiraní do të kishte zili një shoqëri uniforme, që pa ushtruar dhunë, apo represion të veçantë ndaj saj, të mund të shprehej njëzëri në favor të kësaj distopie kaq të rrezikshme.
Gazetarët e ftuar sot në oborrin mediatik të kryeministrit ulën kokën dhe nuk ishin në gjendje të mbronin kolegët e tyre të Lapsi.al për të cilët kryeministri, duke krahasuar ngjashmërinë e rrjedhjes së kartave me rrjedhjen e pagave, aludoi se ta njëjtët (Lapsi.al) kërkojnë të krijojnë konfuzion dhe destabilizimin e vendit, duke kërkuar hetimin e tyre.
Mbrojtja e gazetarëve është një çështje më rëndësi të lartë të interesit publik. Gazetarët dhe shoqatat duhet të shprehen publikisht në mbrojtje të Lapsi.al dhe kujdo gazetari kurajoz, i cili sot, ndonëse nuk lufton më një tiraní, përballet me një sistem edhe më të sofistikuar, më të “ëmbël” në dukje, por më të rrezikshëm.
Deri tani propaganda ka arritur dy fitore: gazetarët po ndihmojnë autoritet duke e përqëndruar kërkimin e tyre tek mënyra sesi janë marrë të dhënat e jo te përmbajtja e të dhënave për të filtruar e publikuar të dhëna me interes publik dhe, nga ana tjetër, bindja se në këtë mënyrë i shërbejnë interesit publik, por në që në fakt, po shndërrohen në përcjellës së një propagande të sofistikuar shtetërore, qëllimi i së cilës është të ndalojë përhapjen e së vërtetës.
Publikimi i të dhënave, të ashtuquajtura personale, nuk është tjetër veçse një pjesë e informacionit shtetëror që qeveria kërkon ta mbajë të fshehtë për të vazhduar të gënjejë qytetarët e saj. Por shoqëria duhet ta refuzojë një amoralitet të tillë!
Mbrojtja e të dhënave personale po shndërrohet në një luftë kundër lirisë së shprehjes, duke rrezikuar gazetarët dhe punën e tyre.
Ngjarje të tilla nuk duhen përdorur për të ndëshkuar ata që i publikojnë, por për rritur vetëdijen publike për të reaguar, në mënyrë që sisteme të tilla, të padrejtësisë, të manipulimit dhe të propagandës, të cilat ushqejnë dhe i shërbejnë krimit, të rrëzohen.