Kryeminsitri i ri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vučić gjenden javën e ardhshme në Bruksel për një seri takimesh të nivelit të lartë.
Sipas kalendarit të sapopublikuar të Komisionit Europian, gjithsesi, dy udhëheqësit nuk do të takohen me njeri-tjetrin.
Vučić pritet të takojë të hënën, 26 prill, presidenten e Komisionit Europianm Ursula von der Leyen, shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borrel dhe Komisionerin për Zgjerimin, Olivér Várhelyi.
Kurti pritet të zhvillojë të njëjtat takime të enjten, 28 prill.
Ndërkohë, një ditë më parë parashikohet që ai të takohet me eurodeputetin Janusz Wojciechoëski, njëkohësisht edhe Komisioneri Europian për Agrikulturën.
Takimi vjen pas vizitës së ministrit të jashtëm gjerman, Haiko Maas ditët e fundit në Prishtinë dhe Beograd.
Objekti i këtij takimi ishte edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, kërkesë që artikulohet vazhdimisht nga komuniteti europian.
Rifillimi i bisedimeve duket sfidues për shkak se pala kosovare e ka kushtëzuar marrëveshjen me njohjen e ndërsjelltë, ndërkohë që pohon se nuk e sheh dialogun me prioritet aktualisht.