Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kundërshtuar nismën e “Mini-Shengenit” duke iu bërë thirrje vendeve të rajonit të mos krijojnë alternativë ndaj integrimit në Bashkimin Europian.
Kryeministri Kurti tha se kjo iniciativë nuk ofron vizion për rajonin, ndërsa mbajti fjalën e tij në Forumin e Prespës përpara liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Është një iniciativë pa vizion për rajonin dhe si të tillë Kosova e refuzon ashpër dhe i inkurajon të gjithë që të kthehemi në agjendën e BE-së dhe marrëdhënieve transatlantike. Pakënaqësia me bashkësinë evropiane nuk duhet të instrumentalizohet nga vende që nuk e duan NATO-n apo mbështesin Federatën e Rusisë”, tha Kurti.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Kosovës e quajti “Mini-Shengenin” ide të Novi Sadit, e cila sipas tij nxit vendet t’u ikin përgjegjësive kundrejt Bashkimit Europian.
Ndryshe nga Kurti, kryeministri Edi Rama insistoi gjatë fjalës së tij për zbatimin e Mini-Shengenit duke thënë se kjo nismë nuk do të thotë alternativë për BE-në , por përpjekje për t’i dhënë më shumë njerëzve të rajonit duke përdorur potencialet e të gjithëve.
Kurti shprehu gjithashtu zhgënjimin e tij për vendimin e BE për bllokimin e procesit të integrimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe mosliberalizimin e të vizave për Kosovën. Këto vendime sipas tij janë mesazhe dekurajuese për rajonin nga një BE të cilës “i mungon uniteti”.